Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri, tha se vendi i tij pret nga Shqipëria ekstradimin e anëtarëve të organizatës terroriste FETO, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij nga Shqipëria, Ditmir Bushati, Çavuşoğlu rikujtoi se FETO është përgjegjëse për tentativën për grusht shteti në Turqi më 15 korrik të vitit 2016, nga e cila 251 persona humbën jetën.
Çavuşoglu theksoi se Shqipëria ka shfaqur shembull të solidaritetit të fortë me Turqinë pas tentativës për grusht shteti, ndërsa shtoi se në Shqipëri ekziston një strukturim serioz i FETO-s dhe se kjo organizatë përbën kërcënim të madh edhe për shtetin shqiptar.
Ministri i jashtëm i Turqisë tha se anëtarë të FETO-s gjenden në Shqipëri dhe presin nga Shqipëria mike ekstradimin e tyre.
“Ne ua kemi dhënë listën e personave të cilët i kemi kërkuar në mënyrë zyrtare. I kemi kërkuar në formë të shkruar zyrtare”, tha shefi i diplomacisë turke, duke shtuar se kjo organizatë infiltrohet në sistemet shtetërore duke përdorur sistemin arsimor.
“Ka anëtarë të FETO-s të cilët i kemi kërkuar nga Shqipëria dhe ne i presim ata nga Shqipëria mike”, u shpreh Çavuşoğlu.
Ministri turk potencoi se Turqia ka përpiluar listë me aktivitetet e FETO-s kundër Turqisë dhe kjo listë në çdo rast u është dorëzuar vendeve mike, nga të cilat, siç tha ai, presin solidaritet në luftën kundër FETO-s.