Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka qëndruar sot në Shkup ku ka takuar homologun e tij, zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Bujar Osmanin.
Në këtë takim, Hoxhaj e Osmani diskutuan në lidhje me votën në Kuvendin e Maqedonisë për inicimin e ndryshimeve kushtetuese për marrëveshjen e Prespës, me c’rast Hoxhaj e uroi Osmanin për rezultatin.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj theksoi se vota në Kuvendin e Maqedonisë dëshmoi edhe njëherë se shqiptarët janë faktori më proeuropian atje. Shtoi se as vota e djeshme e as marrëveshja e Prespës nuk do të mund të arrihej pa mbështetjen e shqiptarëve.
“Takim i këndshëm në Shkup me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Bujar Osmanin. Urimet më të përzemërta shtetit mik për votën e djeshme ne parlament për t’i iniciuar ndryshimet kushtetuese. Shqiptarët në Maqedoni janë faktori më properëndimor, dhe kjo u dëshmua edhe në ditën e djeshme, meqë as Marrëveshja e Prespës e as vota në Kuvendin e Maqedonisë për këtë marrëveshje nuk do të mund të arrihej pa shqiptarët”, tha Hoxhaj përmes Facebookut.