Koxias: Dorëheqja është akt i përgjegjësisë

Ish shefi i diplomacisë greke, Nikos Koxias, në profilin e tij zyrtar në Tuiter shkruan për minimin e nderit, reputacionit dhe dinjitetit të tij me gënjeshtra dhe mashtrime dhe sqaron se “dorëheqja është akt i përgjegjësisë”.

Marketing

“Me gënjeshtra, mashtrime e minojnë nderin, reputacionin dhe dinjitetin tim. Mashtrues, ‘pistoleta’ të korruptuara të sistemit e minojnë dinjitetin dhe nderin e atyre që kundërshtojnë. Kështu, sulmojnë funksionimin e demokracisë. Dorëheqja është akt i përgjegjësisë”, shkroi Nikos Koxias në profilin e tij zyrtar në Tuiter, pa precizuar se për çka dhe për kë ka të bëjë kjo porosi e tij.

Për postimin në Tuiter të ish shefit të diplomacisë greke, reaguan nga Demokracia e Re opozitare, pyesin se kush janë “kërcënuesit dhe të korruptuarit” dhe edhe një herë, në mënyrë indirekte, kërkojnë që të bëhet e ditur dorëheqja e Koxiasit.

“Pse ishte larguar zotëri Koxias dhe për kë mendon ish-ministri kur thotë “mashtrues dhe të korruptuar” të cilët “sulmojnë demokracinë”? Derisa nuk bëhet e ditur letra me dorëheqjen e Koxiasit, vërtetohet se Cipras, Koxias dhe Kamenos, shantazhohen mes vete që të mos zbulohet e vërteta”, kumtojnë nga Demokracia e Re.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Koxias i cili është lider i lëvizjes së ideve dhe aktiviteteve “Prato”, sonte do të mbajë fjalim në Hiraklio, në ishullin grek Kreta. Ngjarja është organizuar nga lëvizja e tij, ndërsa do të flas në temë “Greqia në botën që ndryshohet”.