Kreu i Kuvendit dhe koordinatorët e grupeve parlamentare do të vendosin bazat e Komisionit parlamentar për falje dhe pajtim kombëtar. Të mërkurën në koordinimin me kreun e Kuvendit, do të përcaktohet mënyra e funksionimit të këtij trupi, parimet dhe orari. Jo zyrtarisht, kreu i komisionit do të jetë nga radhët e opozitës. LSDM-së nuk do t’i pengonte që në krye të këtij trupi parlamentar të emërohet ish kryeministri, Nikolla Gruevski.
Çdo propozim është mirë që të shqyrtohet. Cila do ide që vërtet shkon në drejtim të faljes dhe paqes, unë nuk e shoh si problem cilido nga deputetët aktual të jetë kryetar i atij komisioni. Ajo nuk do ta amnistoj nga diçka që ka bërë më herët ose nga diçka qe e pret të ardhmen- deklaroi Aleksander Kiracovski, Deputet i LSDM-së.
Rregullorja mbi të cilën do të funksionojë ky trup do të merr për bazë edhe kërkesat e 8 deputetëve të VMRO-DPMNE-së të cilët mbështetën nismën për ndryshime kushtetuese e që më pas u përjashtuan nga partia. Lëvizja Besa, krahu i Bilall Kasamit kërkon që të jetë pjesë e negociatave dhe e komisionit.
Fillimisht duhet të shohim se në çka do të konsiston ky pajtim dhe cilat do të jenë elementet që do ta përcaktonin një pajtim të tillë nacional. Si subjekt politik dëshirojmë të jemi pjesë e procesit dhe kontributit në drejtim të pajtimit të gjithë faktorëve politik si të domosdoshëm për funksionim normal të institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi- deklaroi Fadil Zendeli, Deputet i Lëvizjes Besa.
Grupi i përjashtuar nga VMRO-DPMNE-së, nuk dihet se si do të funksionojnë tash e tutje në Kuvend. Elizabeta Kançeska-Mileska dhe Nolla Ismajlloska-Starova në një takim jo formal me gazetarët nuk dhanë detaje nëse planifikojnë formimin e grupit të posaçëm parlamentar ose do t’i bashkohen shumicës.
Dorë-zgjatja për pajtim dhe falje kombëtare mes dy partive nga blloku politik maqedonas dhe jo vetëm do të fillojnë nga zhvillimet e përgjakshme në Kuvend më 27 prill të vitit kaluar.