Todorov: Jam përjashtuar nga VMRO-ja anti-perëndimore dhe anti-NATO

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe anëtar i VMRO-DPMNE-së Nikolla Todorov, pas përjashtimit të tij nga partia, përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se ai është përjashtuar nga fraksioni i transformuar i VMRO-DPMNE-së, duke shtuar se atë nuk mund ta përjashtojnë nga partia tek e cila ka dhënë mund të madh.

Marketing

“Jam i shqetësuar pasi e di se nuk më kanë dhe nuk mund të më përjashtojnë nga partia ime, por më kanë përjashtuar nga fraksioni i transformuar i VMRO-DPMNE-së, e transformuar në anti-perëndimore, anti-NATO dhe BE, e drejtuar nga njerëz që janë të robëruar në kotësitë personale dhe që praktikojnë metoda të vjetra të veprimit politik, të imponuara nga struktura të vjetra të UDB-së që janë të përkushtuar për interesa anti-maqedonase dhe propaganda anti-perëndimore”, shkruan Todorov në Facebook.

Ai më tej thotë se i falënderon ata që e përjashtuan nga partia, pasi nuk dëshiron të jetë pjesë e fraksionit turpërues të partisë së tyre.

“Për dallim nga fraksioni i tyre, VMRO-DPMNE-ja ime është evropiane, moderne, parti e qendrës së djathtë, në të cilën janë atdhedashës, intelektual, punëtorë, njerëz shtëpiak dhe populli maqedonas”, shton më tej Todorov.

Ai në fund thotë se me zemër dhe shpirt akoma është në VMRO-DPMNE dhe se askush nuk mund ta përjashtojë nga partia e tij.