Punë më funksionale dhe definim preciz i kompetencave dhe mandati i Agjencisë për realizimin e të drejtave të bashkësive janë pjesë nga propozim ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve, të cilët janë më pak se 20 për qind nga popullata, për të cilët sot u mbajt debat publik me përfaqësues të pushtetit, deputetë, përfaqësues të Agjencisë dhe Misionit të OSBE-së.
Drejtori i Agjencisë për realizimin e të drejtave të bashkësive Ilhan Rahman tha se edhe pse Agjencia punon dhe është e themeluar nga viti 2008, viteve të kaluara edhe puna edhe rezultatet janë larg pritjeve të bashkësive dhe pikërisht me këtë qëllim vitin e kaluar ka filluar procedura për përpilimin e propozim-ndryshimeve dhe plotësimeve të ligjit të Agjencisë.
“Për përpilimin e plotësimeve të ligjit kemi përkrahje nga Misioni i OSBE-së në Shkup, i cili po ashtu paraqet një nga përkrahësit më të rëndësishëm të Agjencisë. Propozim-ligji është i përgatitur nga grupi punues, në të cilin marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të cilët kanë pikë të përbashkët me bashkësitë dhe sektorin joqeveritar. Kjo është ngjarje e parë ku e publikojmë ligjin për opinionin më të gjerë dhe presim përkrahje nga të gjitha palët e involvuara”, tha Rahman.
Ai theksoi se procesi për përgatitjen e ndryshimeve dhe plotësimeve kanë qenë maksimalisht inkluziv dhe se ky është vetëm fillimi i tërë fazës, duke shprehur pritje se ligji final do të kontribuojë që agjencia të punojë në mënyrë më efikase për dallim nga e kaluara.
“Problem më i madh në të kaluarën ka qenë mandati josaktë i definuar i agjencisë dhe kompetencat e gërshetuara. Me propozim-ligjin e ri dëshirojmë t’i definojmë saktë kompetencat e Agjencisë. Po ashtu element i rëndësishëm është edhe koordinimi dhe harmonizimi me institucionet tjera, si edhe mbikëqyrja, që është risi në propozim-ligjin”, shtoi Rahman.
Sara Barbieri, oficere për kohezion shoqëror pranë Misionit të OSBE-së në Shkup, tha se OSBE-ja tani shumë vite punon me të gjitha institucionet relevante shtetërore, si dhe me organizatat e bashkësive, të cilat janë të përfaqësuara sot në drejtim të promovimit, avancimit dhe mbrojtjes së të drejtave të bashkësive, dhe avancimi i kohezionit social në shoqëri.
“Një nga prioritetet kyçe të OSBE-së është ta ndihmojmë vendin që ta përparojë kornizën politike, juridike, ligjore dhe institucionale, ashtu që të gjitha bashkësitë do të munden lirisht t’i realizojnë të drejtat e tyre dhe të marrin pjesë aktivisht në të gjitha sferat e jetës publike”, tha Barbieri.
Ajo shtoi se Misioni e përkrah këtë proces me ekspertizë të tyre, me qëllim që të mundësohet harmonizim me standardet e OSBE-së.
Barbieri ka shprehur pritje se tërë procesi do të jetë i hapur, transparent, inkluziv, participues dhe do t’i përfshijë të gjitha palët e involvuara.