Agnelli: Ta bëjmë Juventusin superfuqi ekonomike dhe sportive

Në një ditë të rëndësishme të Juventusit, dedikuar mbledhjes së aksionarëve bardhezinj, me Andrea Agnelli si numrin një të klubit, mund të analizohen perspektivat afatshkurtra dhe afatgjata. “Qëllimi ynë është që të mbajmë atë që kemi ngritur gjatë viteve. Në vitin 2010, qarkullimi ynë financiar ishte nën 200 milionë euro.

Marketing

Sot, megjithatë, të ardhurat i kanë tejkaluar 500 milionë eurot. Veç kësaj, sigurisht, nuk mund të harrojmë rezultatet sportive: shtatë tituj kampioni, katër Kupa të Italisë, tri Superkupa Italiane dhe dy finale të Ligës së Kampionëve”, – tha në fillim presidenti i “Zonjës së Vjetër”.

Në mënyrë të pashmangshme, Agnelli u ndal edhe te largimi i drejtorit të pargjithshëm, Beppe Marotta: “Të flasësh për Marottën si një profesionist në botën e futbollit ka gjasa të jetë e tepërt. Për 40 vite ai ka menaxhuar klubet e futbollit, me suksese si ato te Venezia.

Pastaj, Atalanta dhe Sampdoria, përpara se të arrinte te Juventusi. Aftësia, përvoja dhe njohuritë e Beppe kanë qenë faktorë shumë të rëndësishëm në rritjen e skuadrës sonë. Dhe ne i detyrohemi atij me një falënderim të ngrohtë”.

Presidenti i bardhezinjve shpjegon edhe rinovimin menaxherial të klubit: “Sa i përket fushës së shërbimit, ai do të vazhdojë të ketë detyrën e sigurimit të mjeteve nga pikëpamja teknologjike dhe financiare, për të arritur objektivat. Përveç menaxhimit normal të aspekteve të aktivitetit, ne presim rritje të të ardhurave. I vlerësojmë të gjitha operacionet e klubit, por duhet të optimizohet menaxhimi i burimeve të financimit.

Kjo ka për qëllim zvogëlimin e rrezikut të tensioneve financiare. Sa iu përket të ardhurave, qëllimi është që ta konsolidojmë Juventusin si një fuqi ekonomike dhe sportive. Kjo do të thotë rritje në tregjet tona kryesore, duke shfrytëzuar valën e interesit, që është rritur, gjithashtu, dhe mbi të gjitha në sajë të rezultateve sportive”.

Një reflektim i Agnelli edhe mbi presidentin e ri të FIGC: “Për fat të mirë u zgjodh Gabriele Gravina. Do të përpiqem të marr pjesë dhe të jap kontributin tim, duke mos pasur të drejtën e votës. Sidoqoftë, federata ka një sfidë të rëndësishme përpara saj”.