Pamjet nga kamera e sigurisë, e vendosur përballë kabinetit të ish kryetarit të Parlamentit Trajko Veljanovski, dëshmojnë bashkëpunimin e huliganëve me maska me sigurimin e Veljanovskit, raporton SHENJA.
Madje disa prej të akuzuarve për të cilët prokuroria gjeti dëshmi se kanë patur edhe armë me vete, u panë të hynë në kabinetin e Veljanovsit, gjatë kohës kur ndodhte kaosi në Parlament. Sigurimi i Veljanovskit dhe sekretaresha e tij, qëndronin vazhdimisht para dyerve të kabinetit dhe e drejtonin turmën kah salla e mediave, ku ndodhi përgjakja e deputetëve. Në një video inçizim të gjatë më shumë se tre orësh, duket se si sigurimi i Veljanovskit, e në veçanti sekretaresha e tij, prej orës 18 hynë dhe dalin nga kabineti dhe flasin në telefon. Për një moment, pak para se të hyjë turma e protestuesve, e akuzuara Elena Bozhinovska fillon një bisedë në telefon dhe duket e lumtur, dhe me vrap shkon kah kabineti i Veljanovskit. Pastaj Bozhinovska vazhdimisht shihej në korridor, duke biseduar me protestuesit, duke iu ofruar ujë ose duke i drejtuar kah të shkojnë.
Në korridorin para kabinetit, dukeshin edhe të akuzuarit Nikolla Mitrevski Koljo dhe Igor Jug. Koljo fillimisht kishte maskë, ndërsa kur u drejtuar kah kabineti i Veljanovskit, e hoqi maskën. Në këto inçizime duket edhe sigurimi tjetër i Kuvendit, Abdulfetah Alimi dhe një sërë policësh të njësitit për intervenime të shpejta, që nuk bënin asgjë për të ndalur mysafirët e paftuar në Parlament.
Ndërkohë, i akuzuari Goran Gjoshevski, ish sigurim i Trajko Veljanovskit, në video inçizimin e kamerave të sigurisë duket sikur sjellë një pako të madhe me ujë për sulmuesit e Parlamentit që ndodheshin para kabinetit të Veljanovskit. Në tavolinën ku e ka la ujin Gjoshevski, vijnë Igor Jug dhe disa prej të akuzuarve të tjerë që shërbehen. Pas disa minutash, korridorin kur është i vendosur kabineti i kryetarit e vërshojnë edhe më shumë protestues që nuk janë aspak armiqësor ndaj sigurimit ose të punësuarve të tjerë në Parlament,dhe vetëm lëvizin dhe shikojnë hapësirën e Kuvendit në mënyrë kurioze.
Para se të nisë gjykimi, prokuroroja Villma Ruskovska ia tërhoqi vërejtjen mbrojtjes në gjykimin për 27 prillin duke u thënë që të mos akuzojnë pa bazë se prokuroria ka marrë video inçizime jo kualitative ose të pavërteta. “U ankuat se materialet janë të prera dhe ngjitura, pastaj montuara. Mungoi edhe furgoni i verdhë vetëm ta shpikni”, ua kthehu komentet avokatëve Ruskovska. Prokurorja u tha se ajo nuk ka asgjë për të fshehur, prandaj nuk ka arsye që të montojë asnjë material pasi gjithçka është tejet e qartë. Ajo u sygjeroi avokatëve që të mundohen vetë nëse dëshirojnë të verifikojnë kohën e saktë të çdo video inçizimi të sigururar nga kamerat televizive.
/SHENJA/