Malevski: Marrëveshja e Prespës, projekt i Perëndimit

Ish ministri i Jashtëm, Denko Malevski vlerëson se Marrëveshja e Prespës është tronditje për nacionalizmin maqedonas dhe atë grek. Ajo mund të ketë sukses dhe ta bëjë vendin pjesë të NATO-s, pasi që është pjesë e projektit të Perëndimit, kryesisht SHBA-ve që të mos e lejojë Rusinë në rajon. Në intervistë për Alsat, Maleski ndër tjerash thotë se amnistia e personave të përfshirë në 27 prill vetëm që kjo marrëveshje të zbatohet gjithsesi është në kundërshtim me parimet demokratike dhe Shtetin e së drejtës.

Marketing

Si e komentoni ju situatën aktuale, të cilën e shkaktoi Marrëveshja e Prespës? Shohim se në vend është në rrjedhë procesi i ndryshimeve kushtetuese, ndërsa nga ana tjetër dha dorëheqje njëri nga kreatorët e Marrëveshjes së Prespës, Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias.

Kjo ishte qartë një goditje e fuqishme për nacionalizmin maqedonas dhe për nacionalizmin grek. Kjo shkaktoi tronditje serioze në të dy vendet. Fuqi perëndimore demokratike e tërheqin Maqedoninë drejt integrimit në NATO dhe BE dhe tani politikat e dy vendeve, të Greqisë dhe Maqedonisë janë në situatë të përshtatshmërisë. Goditja e nacionalizmit në dy vendet nuk është e lehtë, por gjithashtu nuk është e lehtë edhe puna e fuqive tjera që kanë vendosur t’i shpiejnë shoqëritë jashtë kësaj situate të robëruar në të cilën ndodhemi 25 vjet, drejtë anëtarësimit të shpejtë në NATO dhe pastaj hapjes së negociatave anëtarësuese me BE-në.

E dimë se arritja e Marrëveshjes së Prespës ishte kompromis mes Maqedonisë dhe Greqisë, me ç’rast të dy palët lëshuan pe nga çështje kyçe. Megjithatë sipas jush a është normale që të bëhen kompromise aq të mëdha të brendshme, saqë të falen ngjarje të tilla siç ishte 27 Prilli i përgjakshëm, e cila interpretohet si terrorizëm?

Ne në këtë rrugëtimin tonë drejt BE-së dhe NATO-s e harruam qëllimin. 27 vjet vetëm debatojmë, por harruam cili është qëllimi. Një nga qëllimet bazë për anëtarësimin tonë edhe në NATO, që është aleancë e demokracive edhe në BE, është shteti i së drejtës. Sipas parimeve të shtetit të së drejtës një falje e këtillë, një amnisti do të ishte e palejueshme sepse me të vërtetë duhet të nxirret mësim nga dhuna. Demokracia dhe dhuna nuk shkojnë së bashku. Megjithatë më duhet të pranoj se ka situata në jetën e shteteve kur vlerësohet se ajo është më e rëndësishme sesa të tërhiqet shteti në një konflikt të pafundtë. Nëse seriozisht vie deri te pajtimi, në kontekst të parimeve të demokracisë dhe pranimin e atyre rregullave nga ana e të gjithë pjesëmarrësve në të ardhmen, atëherë duhet të mendohet edhe për atë opsion, nëse ajo kontribuon në atë drejtim. Por kjo me të vërtetë është një e keqe e butë që do të na imponohej. Duhet të shohin partitë politike çfarë dhe si më tutje.

Ndërkohë si e shihni ju daljen nga Qeveria të Ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kocias pas debatit ose mosmarrëveshjeve që pati me kolegun e tij, Kamenos, Ministrin e Mbrojtjes, i cili njëherit është edhe një prej kundërshtarëve më të mëdhenj të Marrëveshjes së Prespës. Veçanërisht si e komentoni dorëheqjen e Kociasit duke e pasur parasysh se i njëjti nuk u dorëzua nga arritja e marrëveshjes, ndonëse gjatë negociatave kishte kërcënime me jetë?

Denko Maleski- (4:44-5:40) Politika greke ka edhe tema tjera në politikën e jashtme, nuk është vetëm Maqedonia. Fakti se Kocias është një nga pjesëmarrësit në krijimin e kësaj Marrëveshjeje nuk do të thotë se kjo është detyra e vetme e tij, këtu janë edhe marrëdhëniet e brendshme qeveritare, ndjenja e braktisjes nga ana e kryeministrit, marrëdhëniet brenda një rryme nacionaliste dhe një Qeverie majtiste. Por ajo që është i mirë si lajm është se kryeministri Cipras do ta merr resorin, mes tjerash pikërisht që të sigurojë të kryhet kjo marrëveshje me Maqedoninë deri në fund. Ashtu që në një të keqe, ja që ka një të mirë. (6:36-7:11) Dhe nuk duhet të kemi frikë sepse nuk bëhet fjalë madje vetëm për personalitetet nga Maqedonia dhe Greqia, bëhet fjalë për një projekt që është pjesë e angazhimit të SHBA-ve dhe BE-së. Ky është një projekt i koordinuar për zgjidhjen e një problemi serioz në Ballkan, në interes të Maqedonisë, Greqisë dhe stabilitetit të rajonit.

Gjatë gjithë kohës po shohim përplasjen e SHBA-ve dhe të Rusisë, me ç’rast e para e mbështet ndërsa e dyta e kundërshton Marrëveshjen e Prespës. Sipas jush, a ka mundësi që në të ardhmen të shfaqen komplikime të reja ndërkombëtare në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje edhe nëse të dy vendet do ta ratifikojnë marrëveshjen? Kështu duke e pasur parasysh faktin se Rusia është njëra nga anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së?

Fakti se u paraqit këto vite një rivalitet mes fuqive të mëdha, që ngjan me atë që ishte gjatë Luftës së Ftohtë flet se interesat e bashkimit perëndimor përputhen me interesat e Maqedonisë, e cila qysh në vitin 1991 u deklarua se do të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së. Kjo është një nga arsyet pse mund të besojmë në sukses dhe pse është arritur ky interes i rritur para së gjithash i SHBA-ve që ta zgjerojë zonën e sigurisë në Ballkan dhe të mos lejojë përfshirjen e Rusisë në destabilizimin e rajonit. Pra ky është interesi i rëndësishëm që përputhet me tonin dhe që do të na shpie në NATO, nëse i bëjmë të gjitha ato hapa që priten nga ne dhe pala greke. Nëse kjo realizohet ne nuk duhet të kemi frikë se në OKB Rusia do të mund ta bllokonte punën e Këshillit të Sigurisë dhe rezultati i Marrëveshjes së Prespës të mos pranohet, sepse rezoluta e Këshillit të Sigurisë është e atillë që thotë se në momentin kur dy shtetet të merren vesh për zgjidhje, Këshilli i Sigurisë do të informohet, ashtuqë nuk pres asnjë debat atje.

Marketing