Kryetari i komunës së Aerodromit, Zllatko Marin në një intervistë për MIA-n rreth ndërtimit të ndërtesës me nëntë kate në një zonë të gjelbër tek “Majçin dom”, investues i së cilës është biznesmeni shqiptar Fatmir Etemi, thotë se ai nuk heq dorë nga qëndrimi i tij dhe se akoma vlerëson se nuk është mirë që të ndërtohet në atë vend.
Nga ana tjetër investitori pohon se disponon me të gjitha dokumentet e nevojshme dhe lejet për ndërtim.
Marin thotë se për momentin intensivisht po kërkohet zgjidhje e problemit.
“Që nga dita e parë tentojmë që ta mbrojmë atë parcelë nga ndërtimi dhe të gjejmë zgjidhje në interes të qytetarëve. Gjatë fushatës, por edhe para asaj, isha i pari i cili apeloi se VMRO-DPMNE planifikon të sjellë Plan Urbanistik Detajues të dëmshëm dhe organizuam protesta. Në atë faza parandalimi i këtij ndërtimi do të ishte më i lehtë dhe unë personalisht e iniciova atë. Më pas me detyrim u soll PUD dhe në fushatë premtova se nëse fitojmë do të luftoj me të gjitha mekanizmat juridike për ta parandaluar ndërtimin. Mu atë jemi duke e bërë. I kemi dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme në Gjykatën Kushtetuese. Vetëm ky institucion mund ta shfuqizojë PUD dhe e presim vendimin e tyre”, tha Marin.
Ai më tej ka deklaruar se janë duke bërë analiza të thella të mundësive për gjetjen e zgjidhjes se si të parandalohet ndërtimi. “Është duke u kërkuar zgjidhje në dy drejtime, njëri gjetja e një parcele tjetër, ndërsa tjetri përmes dëmshpërblimit. Çdo mundësi është duke u analizuar në mënyrë të thuktë”, ka thënë i pari i komunës së Aerodromit.
Marin ka shtuar se së bashku me Qytetin e Shkupit dhe Ministrinë e Transportit përveç në Aerodrom është kërkuar zgjidhje edhe jashtë territorit të Aerodromit, por se kjo është dëshmuar si e pamundur për shkak të një sërë pengesave juridike, por edhe afateve kohore të cilat nuk përgjigjen aspak.
Për të sjellë një Plan Urbanistik të ri, procedura mund të zgjasë disa vite, shton ai, ndërsa investuesi, sipas asaj që thotë, ka marrë kredi të larta dhe ka shpenzime të larta vijuese. Me pritjen akoma më shumë komplikohet gjendja, ndërsa shpenzimet rriten dhe kjo nuk është zgjidhje e problemit.
Sa i takon dëmshpërblimit për investitorin, Marin thotë se sipas analizave të deritanishme shumat janë të mëdha dhe komuna nuk disponon me mjete të tilla.
“Problem shtesë është se nuk mund të parashikohet se sa mund të jetë dëmi i përgjithshëm të cilin e kërkon investuesi, sa do të jenë shpenzimet nëse shkohet në procedurë gjyqësore. Prej asaj që e kemi përllogaritur deri më tani, vetëm për shpenzimet për tokë dhe shërbime komunale duhet të kthehen rreth 5,5 milionë euro. Veç kësaj investuesi do të kërkojë dëmshpërblim për investimet e deritanishme për mirëmbajtje dhe kredi, të cilat sipas informacioneve që ai i plason në opinion janë shumë të larta. Nëse shkohet në drejtim të dëmshpërblimit, investitori mund të kërkojë shumë dyfish më të madhe se 5,5 milionë eurot fillestarë. Sa për ilustrim, Komuna e Aerodromit për momentin i ka në dispozicion rreth katër milionë e 800.000 euro, ndërsa buxheti kryesor për gjithë vitin 2018 është rreth nëntë milionë euro. Kjo nënkupton kolaps të plotë të buxhetit të Komunës së Aerodromit dhe dëme të mëdha për qytetarët. Kjo zgjidhje nuk është e duhura pasi do ta vë në pikëpyetje realizimin e të gjitha projekteve por edhe punën e komunës dhe prandaj nuk e mbështes”, thotë në intervistë Marin.