Për ditën e martë (6 nëntor) është caktuar seanca e komisionit parlamentar për cështje të rregullores dhe mandateve – imunitetit për shqyrtimin e propozimit për marrjen e mandatit të deputetit Nikolla Gruevski. Kjo bëhet e ditur përmes një njoftimi të Kuvendit.
Seanca u caktua pasi që Gjykata Themelore Shkupi 1 njoftoi Kuvendin se Gruevski është i dënuar me dy vite burg për rastin “Tanku” të hetuar nga Prokuroria Speciale, përcjellë INA. Anëtarët e Komisionit parlamentar duhet të vendosin se Gruevski a po e kryen me dinjitet funksionin e deputetit. Por vendimin final duhet ta sjellin deputetët në seancë parlamentare me dy të tretat e votave.
Këshilli gjyqësor i Gjykatës së Apelit dje nuk pranoi kërkesën e avokatëve të Gruevskit për shtyerjen e vuajtjes së dënimit, pas ankesës së bërë. Ky këshill tha se nuk ka bazë për shtyerjen e vuajtjes së dënimit. Gruevski u dënua në rastin “Tanku” për blerjen e një makine të blinduar Mercedes Benz në vlerë prej 600 mijë euro, për të cilën ai kishte dhënë urdhër që MPB të realizojë tenderin që rezultoi me shumë shkelje dhe parregullësi.