Janë zhvilluar ndeshjet e javës së 13-të të LPFM-së, ku fitues më të mëdhenj kanë dalë skuadra e Shkëndijës dhe Renovës. Kampioni në fuqi ka shfrytëzuar barazimin e Vardarit me Bellasicën dhe ka marrë kryesimin.
Shkëndija në terren vendas me 3:0 e mundi Shkupin. Ndërsa skuadra e Renovës, në derbin e mesit të renditjes që u zhvillua në Shkup me një përmbysje të plotë e ka mundur Makedonija Gj.P.
Të parët në avantazh kaluan vendasit në minutën e 15 të ndeshjes. Autor i golit ishte Tanturovski. Në fraksionin e dytë skuadra nga Xhepçishti, pati një dominim të plotë në fushë dhe arriti të bëjë një përmbysje të rezultatit.
Në minutën e 60 të ndeshjes golashënuesi i tyre më i mirë Stojanovski, shënoi për barazimin 1:1, ndërsa një minut më vonë në listën e golashënuesve u regjistrua edhe Emran Ramadani. Me golin e tij të parë në këtë sezon ai Renovës ia siguroi fitoren e dytë në transfertë.
Në ndeshjet e tjera të kësaj jave skuadra e Vardarit nuk arriti ta kalojë Bellasicën, me të cilët luajtën vetëm 1:1. Rabotniçki në përballjen me Akademia Pandev ka pësuar disfatë të ngushtë, ndërsa Pobeda me rezultatin 2:0 e mundi Sileksin dhe doli në pozitën e katërt të renditjes. Shkupi sërish mbeti në pjesën e poshtme të renditjes, ku kanë 1 pikë më pak se Makedonija Gj.P e cila mban pozitën e 8 me 13 pikë.
LPFM – JAVA E XIII
Shkëndija – Shkupi 3:0
Makedonija Gj.P – Renova 1:2
Ak. Pandev – Rabotniçki 1:0
Vardari – Bellasica 1:1
Pobeda – Sileksi 2:0