BE kërkon urgjentisht që Kosova të revokojë masën ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina

Sot, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj ka miratuar propozimin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, për masën tarifore prej 10 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Marketing

Ky vendim ka hyrë menjëherë në fuqi nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe masa tarifore përfshinë të gjitha produktet, përveç brendeve ndërkombëtare, transmeton lajmi.net.

Ndërkohë që Maja Kocijancic në një përgjigje për lajmi.net, ka kërkuar sqarim të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për vendimin e marrur sot në mbledhjen e saj për tarifën e 10 për qindëshit për importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“Bashkimi Evropian, kërkon sqarim urgjent për vendimin e papritur të Qeverisë së Kosovës për rritje të taksave të importit të produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijancic.

Ajo, masat e marra nga Qeveria e Kosovës i ka cilësuar si shkelje ndaj obligimeve të Kosovës sipas CEFTA-s duke konsideruar se ky vendim minon bashkëpunimin rajonal.

“Këto masa janë shkelje e obligimeve të Kosovës sipas CEFTA-s. BE pret që Kosova e cila aktualisht mban kryesimin e CEFTA-S, të përmbushë plotësisht detyrimet e CEFTA-s dhe të revokojë masën”, thuhet në përgjigjen e BE-së për lajmi.net.

Më pas thuhet se “Vendimi i qeverisë së Kosovës minon bashkëpunimin rajonal, duke përfshirë Zonën Ekonomike Rajonale dhe nuk është në përputhje me parimet që mbështesin SAA të BE-së dhe Kosovës”.