Shumë qytete në Maqedoni, përfshi këtu edhe Shkupin çdo ditë po ngulfaten nga ajri i ndotur. Gjashtë stacionet e reja matëse nga rrjeti vullnetar “Skopje Puls” kanë regjistruar përsëri nivel tejet të lartë të ndotjes, derisa disa nga stacionet e Ministrisë së Ekologjisë vazhdojnë të mbeten jashtë funksionit që nga mesi i muajit gusht.
Si pasojë e ndotjes alarmante, qytetarët thonë se druajnë t’i hapin dritaret e shtëpive për t’i ajrosur ambientet e brendshme.
Unë jetoj në Karposh. Kur u zgjova në mëngjes, kur e hapa dritaren, si pasojë e mjegullës dhe kundërmimit të erës së keqe menjëherë u desh ta mbyll. Kur koha është më me mjegull atëherë ndotja ndjehet shumë, sot me shumë gjasë për shkak të motit me diell nuk hetohet aq shumë ajri i ndotur, por me siguri është i ndotur po nuk e ndjej dhe aq”.!
Ne jetojmë në Çento – Singeliq, atje është ende më i ndotur ajri. Veturat të kontrollohen, cila sa ndotje shkakton, disa i shoh se si po shpërndajnë tym sikur të jetë oxhak, ato duhet të largohen, mendoj unë!
Tek vendbanimi jonë djegin goma, këpucë, çfarëdo që gjejnë djegin”. – theksuan qytetarët.
Alsat vizitoi disa nga farmacitë e kryeqytetit për të parë nëse qytetarët shprehin interesim për blerjen e maskave mbrojtëse kundër ajrit të ndotur, megjithëse nuk pranuan të flasin para kamerave, ata thanë së fundmi është shtuar dukshëm interesimi i qytetarëve për maskat mbrojtëse.