Numri i njerëzve të zhdukur nga zjarret në veri të Kalifornisë ka kaluar 600, thanë autoritetet lokale.
Lista e personave të zhdukur u dyfishua qysh të enjten.
Bëhet fjalë për 631 të zhdukur, tha sherifi Kory Honea.
Zjarret – më shkatërrueset në këtë shtet – lanë së paku 63 njerëz të vdekur.
Afro 12,000 ndërtesa u dogjën.
Presidenti amerikan, Donald Trump, do të udhëtojë në Kaliforni të shtunën për të vëzhguar dëmet dhe për të takuar njerëzit e prekur.
Rreth 9,400 zjarrfikës janë duke luftuar flakët që nisën tetë ditë më parë.
Historikisht, “stina e zjarreve” në Kaliforni fillonte në verë dhe zgjaste deri në vjeshtën e hershme, por ekspertët tani paralajmërojnë për rrezik gjatë gjithë vitit.
Kushtet e motit dhe ndryshimet klimatike shihen si shkaktarët kryesorë.