Edhe mjekët e kanë ngritur zërin kundër ndotjes alarmante të ajrit. Ata kërkojnë të ndërmerren masa urgjente që spitalet të mos mbushen me pacientë. Mjekët konsiderojnë që ndotja urbane sistematike dhe çrregullimi shëndetësor është për shkak të mungesës së një politike ekologjike afatgjate.
“Duhet të ndërmerret diçka urgjentisht. Deri më tani kanë funksionuar, por ja që tani nuk punojnë as stacionet matëse dhe nuk e dimë se me çka na bombardojnë edhe ne edhe fëmijët tanë,- tha pulmologu, Angellko Gjorqev.
Ditëve të fundit ka më shumë të sëmurë në klinikën e pulmologjisë nga grimcat PM10, grimca të cilat shkaktojnë frymëmarrje të rënduar dhe zvogëlojnë kapacitetin e mushkërive të bardha. Tek të sëmurët kronikë me astmë dhe HOBB, ajri i ndotur mund të sjellë komplikime të rënda dhe të njëjtit duhet të hospitalizohen.
“Jo vetëm grimcat PM10, por edhe gazrat tjerë internë janë të rrezikshëm meqenëse sjellin deri në dëmtimin e qelizave dhe këtë qytetarët e ndjejnë më grithje në fyt, teshtitje, djegie të syve, frymëmarrje të rënduar etj”,- theksoi drejtori i Klinikës së pulmologjisë, Dejan Dokiq.
Mjekët thonë se me ndotjen e ajrit të gjithë e pësojnë, por më të rrezikuar janë fëmijët tek të cilët grimcat e rrezikshme shkaktojnë infeksione respiratore. Se duhet të merren masa urgjente tregojnë edhe të dhënat e raportit të fundit të Agjencisë Evropian për mjedis, ku është theksuar se në Maqedoni çdo vit vdesin mbi 3000 persona si pasojë e ndotjes së ajrit.