Xhaferi: Integrimi i tërë rajonit në BE dhe NATO është indi bashkues i shtetit tonë me fqinjët, rajonin dhe botën

Me moton “Për neve Dielli lind në Perëndim” sonte në filarmoninë e Maqedonisë u mbajt akademi solemne me rastin e 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit, respektivisht ditës së alfabetit shqiptar.

Marketing

Në këtë solemnitet fjalim mbajtën kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, kryeministri Zoran Zaev dhe zëvendës kryeministri Bujar Osmani, Sekretariati për Çështje Evropiane i të cilit ishte i obliguar për organizimin e solemnitetit.

“Integrimi i plotfuqishëm i jonë dhe i tërë rajonit në strukturat e Bashkimit Evropian dhe NATO-së është indi bashkues i shtetit tonë me fqinjët, rajonin dhe botën. Për këtë qëllim nuk e kanë kursyer veten të gjithë politik bërësit e vendit por edhe politik bërësit e rajonit. Prandaj sot jemi aty ku jemi, respektivisht, Maqedonia i kalon kilometrat e fundit para anëtarësimit të plotfuqishëm në NATO dhe fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Shqipëria tanimë është anëtare e plotfuqishme e NATO-së me status kandidat për anëtarësim në Bashkim Evropian. Ndërsa Kosova si shtet më i ri në Evropë e nënshkroi marrëveshjen për stabilizim dhe asociim. Kjo edhe njëherë dëshmon se rajoni i ka kaluar ose po i tejkalon inatet e së kaluarës dhe po rreshtohet në rrafshet e civilizimeve evropiane dhe botërore”, deklaroi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të RM-së.