Ndryshimet kushtetuese varen nga amnistia e 27 prillit

Ndryshimet kushtetuese për çështjen e emrit kanë hyrë në fazën e fundit, por ato nuk do të mund miratohen pa dy të tretat e votave në Kuvend, ashtu si u veprua edhe në fazën e parë të propozimit e Qeverisë për amendamentet kushtetuese.

Marketing

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev beson se edhe në votimin final ndryshimet do të miratohen do të miratohen me mbështetjen e më shumë se dy të tretat e votave në Kuvend. Deklarata e kryeministrit vjen pas njoftimeve mbi tërheqjen e mundshme të së paku 8 deputetëve të përjashtuar të VMRO-DPMNE-së që kanë formuar grupin e deputetëve të pavarur.

“Unë besoj se do të mbeten në qëndrimet e tyre dhe se do të vazhdojë debati për propozim-amendamentet me një përfshirje sa më të gjerë, sikur që besoj se do të përfundoj edhe debati publik pas seancës që do të mbahet më 1 dhjetor. E gjithë kjo pres që të rrumbullakohet me hartimin e amendamenteve, ku do të përfshihen edhe pritjet dhe propozimet e deputetëve të opozitës. Pra, unë besoj se e gjithë kjo do të kalojë me dy të tretat e votave, ndoshta me numër edhe më të madh se votimi i parë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Deputetët e përjashtuar të VMRO-së, që kishin mbështetur fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese, thuhet të jenë indinjuar nga arrestimet e fundit të ish zyrtarëve të lartë të VMRO-së, para se gjithash të ish-drejtorit të policisë sekrete, Sasho Mijallkov, i cili jozyrtarisht besohet se qëndron pas tyre, apo vendimit për mbështetjen e ndryshimeve kushtuese.

“Zhvillimet e fundit mund që të rrezikojnë seriozisht procesin”, citohet të ketë deklaruar Emilija Aleksandrove, një nga deputetet e grupit të pavarur.

Ky grup dhe Qeveria po diskutojnë mundësinë e miratimit të një Ligji për amnisti, i cili do të quhet Ligji për pajtim dhe integrim. Por, palët ende nuk po merren vesh se kush duhet të përfitojë nga një ligj i tillë që duhet të falë personat e përfshirë në dhunën e 27 prillit të vitit 2018 në Kuvendin e Maqedonisë.

“Unë jam iniciatori i nismës për pajtim dhe sinqerisht besoj në të. Kjo urrejtje me gjakderdhje që ishte paraqitur në shoqërinë tonë, duhet ta kapërcejmë të gjithë ne, veçanërisht në periudhën kur të gjithë ne jemi bashkuar në përcaktimin tonë strategjik për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE”, ka deklaruar Zaev, duke theksuar se për momentin ende nuk ka ndonjë propozim konkret, por se për këtë do të ketë një takim të grupit koordinuese ku do të prezantohen qëndrimet e palëve.

Grupi do të propozojë amnisti të plotë për personat që nuk kanë marrë pjesë direkt në dhunën në Kuvend dhe rikualifikim të lëndës për pjesëmarrësit në dhunë, të cilët momentalisht po gjykohen për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”.

VMRO-DPMNE-ja, ndërkohë, kishte propozuar një ligj tjetër të amnistisë, por që është refuzuar nga shumica parlamentare.

“Ky propozim ligj parashikonte pajtim të vërtetë kombëtar. Faljen e të gjithë personave të akuzuar për ngjarjet e 27 prillit. Ne jemi kundër një amnistie selektive që dëshirojnë të arrijnë Qeveria dhe i ashtuquajturi grupi për pajtim”, ka deklaruar deputetja e VMRO-së, Nevenka Stamenkovska.

Debatet për amnisti dhe pajtim pasuan nevojën për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, pasi përmes një oferte të tillë për personat e përfshirë në dhunën në Kuvend, shumica parlamentare synonte të miratonte fazën e parë të ndryshimeve, gjë që edhe e arriti në momentin e fundit.

Se a do të ketë mbështetje të tillë edhe në fazën finale varet nga epilogu për faljen ose jo të personave të përfshirë në dhunën në Kuvend. Ndryshimet kushtetuese me të cilat rrumbullakohet zbatimi i Marrëveshjes së emrit me Greqinë, që parasheh emrin Maqedonia e Veriut, sipas paralajmërimeve të kryeministrit Zoran Zaev, pritet të përmbyllet deri në mesi muajit janar të vitit 2019.