Autostrada Shkup-Bllacë, në dy faza

Zëvendësministri i Infrastrukturës së Kosovës, Rexhep Kadriu, ka informuar se me dinamikën e punimeve në autostradën që lidh Prishtinën me Maqedoninë, punimet mund të përfundojnë më 31 dhjetor, megjithëse siç ka potencuar ai, kjo datë nuk mund të jetë e konfirmuar, pasi e gjithë puna varet nga kushtet atmosferike që do të mbretërojnë në fund të vitit. Kadriu për gazetën Metro në Prishtinë ka thënë se nëse në fund të dhjetorit nuk janë temperaturat 5 gradë, asfaltimi i urës më të gjatë në Ballkan do të shtyhet deri në përmirësim të motit.

Marketing

“Sipas kësaj dinamike, shpresojmë në përfundim të punimeve deri më datë 31 dhjetor, mirëpo po lutemi që të kemi kushtet e mira atmosferike për të mundur të bëjmë asfaltimin e Urës, sepse ky lloj asfalti dhe asfaltimi i urës kërkon që temperatura të jetë +5 gradë – në të kundërtën, do të presim deri në përmirësimin e kushteve atmosferike për asfaltim, ku nuk do të rrezikojmë kualitetin e ndërtimit dhe qëndrueshmërisë së rrugës dhe urës si një vepër arkitektonike dhe një atraksion turistik – e vetme në Ballkan me këto përmasa”, ka thënë zëvendësministri Kadriu.

Ai ka treguar edhe për punët aktuale që po kryhen në këtë projekt të madh që lidh Kosovën me Maqedoninë. Kadriu ka thënë se po punohet në vendosjen e trajeve të fundit të urës së gjatë, si dhe në shtratin e lumit Lepenc. “Aktualisht po punohet në montimin e metrave të fundit të trajeve në urën më të gjatë në Ballkan dhe po punohet edhe në pozicione të tjera në asfaltime dhe në rindërtimin e shtratit të lumit Lepenc”, ka thënë Kadriu për Metron. Nga Ministria e Infrastrukturës dhe nga kompania ndërtimore “Bechtel&Enka” thonë se punët zhvillohet me tri turne dhe fuqi të madhe punëtore e makineri, për të përshpejtuar përfundimin e punimeve.

Nga ana tjetër, në Maqedoni, zyrtarë të Ministrisë së Transportit thonë se punimet në autostradën 16 kilometërshe Shkup-Bllacë, do të nisin në pranverën e vitit të ardhshëm, pa saktësuar datë konkrete. Ndërtimi i autostradës, siç përgjigjen në Ministrinë e Transportit, do të jetë në dy faza, ndërsa informojnë se dokumentacioni projektues tashmë ka përfunduar.

“Në fazën e parë do të ndërtohen 1.6 kilometra, ndërsa paralelisht do të projektohet një pjesë prej 10 kilometrash, pas së cilës do të punohet paralelisht. Në pajtim me vendimin e Këshillit Ekonomik që është sjellë, prioritet kryesor është rruga Shkup-Bllacë, paralelisht me ndërtimin e autostradës nëpër Maqedoni, kështu që pritet që në pranverën e ardhshme të fillojë të ndërtohet”, thonë shkurt në Ministrinë e Transportit, ndërsa sigurojnë se mjete financiare janë paraparë edhe në Buxhetin 2019. Ndryshe, edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani kohë më parë deklaroi se ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë do të kushtojë rreth 100 milionë euro, por se nuk dëshiroi të spekulojë për shumën e saktë.