I akuzuari Igor Jug në seancën e 27 prillit, gjykatëses Dobrilla Kacarska i tregoi fotografinë e agjentit serb Goran Zhivaleviq. E gjithë kjo ndodhi në kohën kur po vonohej nisja e seancës së sotme, ende pa arritur Këshilli gjyqësor në sallë. Por, derisa po e merrte në pyetje Igor Jugun, për dëshmitarin e MPB-së, Kacarska atij i tha me ironi “Hajde Zhivealiq” urdhëro. Në këtë rast i akuzuari Igor Jug tha se ky person është i një rangu më të lartë, duke treguar sërish fotografinë e tij. “Ja Zhivealiqin e mbaj me vete, këtu e kam. Kur të vijë koha, për të do të flas këtu në gjykatë”, u shpreh i akuzuari, Igor Jug.
Dëshmitari që po fliste në seancën e 27 prillit ishte ish-komandanti i Njësitit të trajnimit dhe mbështetjes, Branko Trajanovski. Ai dëshmoi me propozimin e të akuzuarit Mitko Peshov, i cili në atë kohë ishte kreu i Repartit të forcave speciale të policisë. Dëshmitari tha se Peshov e urdhëroi atë të drejtonte pjesëtarët e njësisë së tij në Kuvend në ora 19:45. Por, sipas tij, në Kazermën “Gjorçe Petrov” ai në ato momente kishte vetëm 13 pjesëtarë në formacion. Trajanovski në pyetjet e prokurores Vilma Ruskovska tha se i ka dërguar këta pjesëtarë që t’i bashkëngjiten urdhrave të zëvendëskomandantit të EBR-së për t’i ndihmuar ata në bllokimin e protestuesve dhe në evakuimin e deputetëve./Tv21