Kërçovë, mbahet edicioni i katërt i Festivalit për fëmijë dhe të rinj “Dita jonë”

Me rastin e Ditës së Flamurit, 28 Nëntori, mbrëmë në Kërçovë u mbajt edicioni i pestë mbarëkombëtar i Festivalit për fëmijë dhe të rinj “Dita jonë”, ku pas prezantimit të 17 kompozimeve, çmimin e parë “28 nëntori” të jurisë profesionale e fitoi Elton Tolaj nga Deçani, ndërsa çmimin e publikut Alma Zeneli nga Kërçova.

Marketing

Në organizim të shoqatës “Kult” dhe me mbështetjen e komunës së Kërçovës dhe Ministrisë së Kulturës, mbrëmë në Qendrën për Kulturë në Kërçovë u mbajt festivali për fëmijë dhe të rinj “Dita jonë”, ku u prezantuan 17 këngët konkurruese që u interpretuan nga talentet e muzikës që kishin ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, në një spektakël madhështor që filloi me këngën “Nëntori”, të interpretuar nga sopranoja, Besiana Mehmeti.

Pas prezantimit të këngëve fituese të vitit të kaluar u prezantuan këngët konkurruese të cilat u duartrokitën fuqishëm nga të pranishmit në sallë. Juria profesionale e përbërë nga emra të njohur të fushës së muzikës, çmimin e parë “28 nëntori” ia ndau solistit nga Deçani, Elton Tolaj.

Çmimin e komunës së Kërçovës e ndau vetë kreu i komunës, Fatmir Dehari, i cili e çmoi lartë kontributin e organizatorëve të këtij manifestimi, Shkodran Tolaj dhe Besiana Mehmeti.

Ai çmimin e komunës së Kërçovës ia ndau vajzës kërçovare të ardhur enkas nga mërgimi, Elira Dalipit, e cila mori edhe çmimin e tretë në kategorinë junior.

Çmimin e tretë të kësaj kategorie e fituan edhe Ylli e Floriana Gecaj nga Peja, të cilët morën edhe çmimin “Ismail Qemali”.

Çmimet e dyta i fituan Agnesa Arsllani nga Kërçova dhe Gloria Dulja nga Elbasani, ndërsa Çmimin e Qendrës për Kulturë e fitoi Kejsi Bushati. Çmimin e parë në kategorinë rinore e fitoi Arnesa Kadriaj, ndërsa të dytin vajza nga Struga, Gresa Mustafai.

Çmimin e tekstit më të mirë e fitoi kënga “Mos i vrisni ëndrrat” e interpretuar nga Arnisa Malsiu.

Çmimin e publikut e fitoi vajza nga Kërçova, Alma Zeneli, me këngën “Babi im”, ndërsa çmimin e shoqatës “Kult” e fitoi Elion Sylaj nga Ferizaj.

Festivali u mbyll me një kolazh këngësh të përgatitur enkas për këtë festival nga fëmijët e Deçanit dhe solistit nga Kërçova, Aldrin Dehari