Universiteti i Tetovës në bashkëpunim me Universitetin e Ilinoisit Verior në SHBA, promovuan sot programin e ri studimor të ciklit të dytë për biznes administratë. Në promovimin e këtij programi, në UT ishte I pranishëm edhe Ambasadori i SHBA-së, Xhes Bejli, i cili deklaroi se arsimi dhe tregtia janë dy rrugë shumë të rëndësishme për të krijuar lidhje në mes të shteteve rreth botës.
“Me këtë bashkëpunim të këtyre dy Universiteteve për këtë program studimor do të realizohen të dyja, në njërën anë do të edukojë gjeneratën e ardhshme të liderëve të biznesit të Maqedonisë si dhe për t’i njohur ata me eksperiencën dhe praktikën amerikane. Uroj Universitetin e Tetovës dhe Universitetin e Illinoisit Verior për bashkëpunimin në këtë program studimor.
Vërtetë kanë bërë një punë të madhe në këto dy vjet . Ky program studimor për biznes administratë është mundësia e parë për studentët e Maqedonisë për të fituar një diplomë masteri prej një Universiteti Amerikan duke studiuar këtu në Maqedoni, prandaj është një hap i madh për ti bërë këto dy vende bashkë”,deklaroi Xhes Bejli, Ambasador i SHBA-së.
Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Vullnet Ameti deklaroi se ky program do të funksionojë në bashkëpunim me “Northern Ilinoi Juniversity” nga Çikagoja dhe fakultetit ekonomik të Universitetit të Tetovës dhe është program i vetëm i këtij lloji në rajonin e Evropës juglindore dhe më gjërë.
Ka për qëllim që studentët të pajisen me njohuritë e thelluara në lëmit përkatëse. I parapërgatit ata të bëhen menaxher të suksesshëm për të drejtuar sipërmarrje, kompani të ndryshme që operojnë në tregun global të punës.
Studentët që do të arrijnë me sukses ti përfundojnë studimet në këtë program të ri, do të pajisen me diplomë të përbashkët që do të bart emblemën dhe vulën e të dy universiteteve dhe do të fitojnë thirrjen Magjistër të shkencave ekonomike nga lëmija e Administrimit të biznesit, u shpreh Vullnet Ameti, rektor i USHT-së.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi, nënvizoi se me këtë program, i cili bëhet në partneritet me Universitetin nga SHBA do të ndikojë në krijimin e kuadrove të nevojshëm në tregun e punës.
Duke ofruar këtë program, në fakt ofrohet një program i cili ndikon në ngritjen e cilësisë por ndikon edhe në krijimin e kuadrove të cilët do tu përgjigjen nevojave dhe kërkesave të tregut të punës, tha Arbër Ademi, Ministër i Arsimit.
Ky nuk është bashkëpunimi i vetëm në mes të Universitetit të Illinoisit Verior me Universitetin e Tetovës sepse edhe më parë këto dy institucione të arsimit të lartë kanë bashkëpunuar në sferën e arsimit dhe shkencës.