Zaev: Mundësitë për investime nga Facebook dhe Google janë të sigurta

Kryeministri, Zoran Zaev, paralajmëron investim të Google dhe Facebook në Maqedoni pas anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe NATO.

Marketing

Prononcimi i Zaevit vjen pas pyetjes së deputetit, Antonio Milloshovski, në seancën e sotme pyetje deputetësh. Sipas kryeministrit, investimet e tilla mund të jenë realitet, por pas krijimit të kushteve.
“Unë besoj se investimet e tilla mund të realizohen në Maqedoni. Sigurisht që presin Maqedonia të ketë ardhmëri të sigurt me anëtarësimin në NATO dhe BE. Po i ndjekim me vëmendje proceset. Vazhdojmë negocimet dhe kur do të kemi diçka konkrete, do ta kumtojmë para kuvendit. Do të jetë ulja e tatimit mbi të ardhurat nga 10 në 3% për të gjitha ndërmarrjet teknologjike”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Antonio Milloshovski me vlerësim se qeveria ka përhapur propagandë të rreme kur ka paralajmëruar këto investime.

“Kur paralajmëruat investime nuk thatë se ato do të vijnë në Maqedoni pas anëtarësimit në BE dhe NATO. I bie se të gjitha këto premtime kanë qenë të rreme, ndërkaq anëtarësimin në BE dhe NATO e shfrytëzoni si alibi të mossuksesit tuaj”,- u shpreh Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Ndërkaq, nuk munguan as akuzat e VMRO-së për fshirje të fakteve të caktuara historike nga komisioni maqedono – bullgar për revidimin e librave.

“Unë mesa e di, ne deri më tani në histori kemi mësuar se bullgarët kanë qenë okupatorë, në Prilep ka muze. Gjithçka do të rrënojmë dhe ndryshojmë?”,- theksoi Bllagica Llasovska nga VMRO-DPMNE.

“Nuk është njëjtë se a do të shkruajë plumbi fashist bullgar apo plumbi fashist, nëse ndërtojmë miqësi apo jo. Historia mbetet e njëjtë dhe nuk e ndryshojmë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Nuk munguan as pyetjet nga sfera e shëndetësisë, bujqësisë, por edhe për masat që do të ndërmerren për ndotjen e ajrit. Sipas zëvendësministrit të ekologjisë, Jani Makradulit, aktivitetet kundër ndotjes janë me spektër të gjerë në nivel qeveritar.