A do të bie akuza “cenim terrorist i rendit kushtetues” për 27 prillin e vitit 2017? Draft-ligji për amnisti i përgatitur nga nëngrupi për pajtim parashikon largimin e akuzës në fuqi dhe amnistinë e të gjithë personave që nuk janë të përfshirë në dhunë, organizim të dhunës dhe bashkëveprim kriminal.
Drafti do të prezantohet të mërkurën nga trupi parlamentar për pajtim dhe integrim. Versioni i hartuar në Kuvend parashikon që me nenin 1 të rregullohet heqja e akuzës, ndërsa në nenin 2 të përcaktohen veprat nga Kodi Penal të cilat nuk i përfshin ligji në rast miratimit. Ndërkohë neni 3 i mundëson të akuzuarve të prononcohen nëse pranojnë amnistinë ose jo.
Procesi deri më tani kishte ngecur në çështjen se si do të amnistohen deputetët që hapën dyert e Kuvendit. Duke u thirrur në Kushtetutën e vendit dhe dispozitat e saj e cila nuk amniston terrorizmin dhe aktet e ndërlidhura me të, nëngrupi për pajtim duke konstatuar prezencën e vullnetit politik për falje dhe pajtim ka vlerësuar se heqja e akuzës “cenim terrorist i rendit kushtetues” i hap rrugën faljes së deputetëve dhe personave të tjerë të cilët nga pushteti u cilësuan si dëm kolateral apo janë manipuluar dhe urdhëruar nga organizatorët.
Jozyrtarisht pajtimi mes grupit është arritur në takimin mbrëmshëm me kryeministrin Zoran Zaev.
Amnistia për ngjarjet e përgjakshme në Kuvend vjen në kohën kur në gjykatë po vijon procesi për zbardhjen e 27 prillit. Seancat e fundit kanë sjellë momente të reja. Si rezultat i dëshmive të të akuzuarve kanë çuar prapa grilave ish drejtorin e DSK-së, Vlladimir Atanasovski si i dyshuar për organizimin e dhunës në Kuvend.
Me miratimin e draft-ligjit për amnisti, organi akuzës obligohet të tërhiqet nga akuza në fuqi dhe të ngrit akuza të reja për personat mbi të cilët ekzistojnë dyshime për përfshirje në vepra penale që nuk parashikohen me këtë ligj.