Qindra oficerë policie janë vënë në ndjekje të agresorit të armatosur që vrau 3 persona dhe plagosi 12 të tjerë, pas një serie të shtënash në qytetin lindor të Francës, Strasburg, mbrëmjen e së martës.
I dyshuari, i cili ka qenë i skeduar nga shërbimet e sigurisë, arriti t’ia mbathte pas shkëmbimit të zjarrit me ushtarë dhe policë të armatosur, por besohet se ka mbetur edhe ai i plagosur.
Të shtënat ndodhën shumë pranë një tregu tejet të populluar Krishtlindjeje, pranë njërit prej shesheve qendrore të qytetit, “Place Kleber”.
Ndërkohë, një prokuror antiterrori ka hapur një hetim mbi këtë ngjarje, që duket sikur riktheu makthin e terrorizmit në Francë.
Raportimet e para të së mërkurës flasin për një operacion policor që po zhvillohet përreth zonës së katedrales së qytetit, motivi i të cilit mbetet gjithsesi i pasqaruar.
“Ai luftoi dy herë me forcat tona të sigurisë”, tha ministri i Brendshëm francez, Christophe Castaner. E teksa konfirmoi humbjen e 3 jetëve, Castaner tha se kontrollet kufitare janë përforcuar, ndërkohë që do të garantohet më shumë siguri në të gjitha tregjet e Krishtlindjes. Ndërsa momentalisht, 350 agjentë sigurie janë vënë në ndjekje të agresorit të djeshëm. Ministri deklaroi gjithashtu se Franca e ka rritur nivelin e sigurisë në “sulm emergjent”.
Gjashtë prej të plagosurve të së martës thuhet se janë në gjendje kritike për jetën, ndërsa 6 të tjerë pësuan dëmtime të lehta. Policia tha në raportin e saj se i dyshuari 29-vjeçar është lindur në Strasburg dhe ka qenë i njohur edhe më herët nga shërbimet e sigurisë, duke u klasifikuar si kërcënim potencial terrorist.
Sipas “BFM TV”, personi ishte larguar nga banesa e tij në një pallat në periferinë Neudorf të qytetit, mëngjesin e së martës, teksa policia po kërkonte për të në lidhje me një pengmarrje. Gjatë kërkimit në shtëpi u gjetën granata.