Jehona e protestave disaditore të studentëve në Tiranë me sa duket po vjen edhe në Maqedoni. Për të martën tashmë është paralajmëruar protesta e parë e studentëve në sheshin “Iliria” në Tetovë. Organizimi po bëhet përmes rrjeteve sociale, pa emra konkret të iniciatorëve. Thonë se organizatorë janë të gjithë studentët.
Në faqen e Facebookut “Studentët e revoltuar” janë dhënë 14 kërkesa që i drejtohen Ministrisë së Arsimit si dhe Universiteteve shqiptare në Maqedoni, për të cilat thonë se “janë të korruptuara deri në fyt”.
Disa nga kërkesat e studentëve janë:
Largimi i pagesës së praktikës dy mujore nga Universiteti (50 euro); zvogëlim prej 50% i tarifës për studentët e huaj si dhe anulim i pagesës prej 100€ për çregjistrim nga universiteti;
Studentët të mos kushtëzohen me blerje të librave për nënshkrim nga disa profesorë;
Furnizimi dhe renovimi i sallave, laboratorëve dhe mjeteve tjera të domosdoshme;
Largimin e profesorëve të denoncuar për kryerje të ndonjë vepre penale brenda institucioneve arsimore;
Rishikimi i titujve akademik dhe verifikimi i plagjiaturave;
Mos-diskriminimi i femrave dhe kushtëzimi i tyre me akte të turpshme në këmbim të notës;
Të ndërpritet emërimi i mësimdhënësve nga partitë politike.
Që kur në Facebook është hapur faqja “Studentët e revoltuar” si dhe eventi që thërret për protesta të martën në orën 12:30, kanë vërshuar një lum kërkesash dhe kritikash që studentët i dërgojnë.
Biejn në sy ankesat e studentëve të Mjekësisë. Ankohen se u mohohet e drejta për konsultime dhe për mungesë laboratorësh.
“Profesorët (shumica) nuk na e japin të drejtën të shohim testin edhe nëse jemi të sigurt se kemi punuar më shumë. Edhe nëse ndonjë prej studentëve kërkon “ta shohë testin” profesorët sillen me arrogancë dhe poshtërim, kinse ata janë të pagabueshëm e ne “nuk dijmë””.
Në po të njëjtën faqe studentët nismëtarë po ashtu shkruajnë se ka përpjekje për të parandaluar protestën dhe se ka pasur tentativa për t’ua hakuar faqen. Për këtë, nga “Studentët e revoltuar”, të kontaktuar nga TV21, na thanë se nuk duan të dalin me emra sepse druajnë që më pas mund të përballem me presione dhe kërcënime.
TV21 sot provoi të kontaktojë ministrin e Arsimit Arbër Ademi për ta pyetur se sa dikasteri i tij është i gatshëm të plotësojë kërkesat e studentëve, por ai nuk iu përgjigj telefonatave dhe mesazheve tona.