Avokatët ankohen nga sjellja e Fatime Fetait ndaj të akuzuarve të rastit “Monstra”

Avokatët mbrojtës sot kanë shprehur vërejtje ndaj sjelljes së Prokurores së Prokurorisë Speciale, Fatime Fetai ndaj të akuzuarve të rastit “Monstra”, duke vlerësuar se nuk po e respekton prezumcionin e pafajësisë.

Marketing

Me pyetje të kryqëzuara drejtuar ekspertëve të balistikës nga ana e avokatëve mbrojtës, në Gjykatën penale në Shkup vazhdoi rasti “Monstra”.

I akuzuari Fejzi Aziri, ekspertë të mjekësisë ligjore dhe nga MPB-ja janë përgjigjur për plumbat e gjetur në trupat e viktimave, si dhe për plagët e shkaktuara.

Njëra nga pyetjet që e drejtoi Aziri ishte nëse viktimat janë vrarë me të shtëna rafal, ose një nga një.

Ekspertët thanë se nuk mund të përgjigjen, kurse ai vlerësoi se nuk donë të përgjigjen edhe pse e dinë.

Aziri, disa herë i ka kontestuar përgjigjet e ekspertëve, por prokurorët Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski shprehnin vërejtje ndaj tij, duke u ankuar te gjykatësi se i akuzuari vetëm duhet të pyet dhe jo t’i komentojë përgjigjet.

Fetai, gjatë seancës gjithashtu tha se do t’i lejojë të gjitha pyetjet që sipas saj, të mos thotë pala mbrojtëse se rasti është i montuar.

“Që të mos thoni se rasti është i montuar të gjitha pyetjet po i lejojmë, edhe pse shumë prej tyre janë të parëndësishme”, tha Fetai.

Avokatët dhe prokurorët special, gjatë seancës u konfrontuan pas pyetjes që ia bëri Aziri ekspertit të balistikës nëse vrasja është kryer me të shtëna rafale apo gjuajtje të veçanta, ndaj së cilës reagoi prokurorja Fetai, duke thënë se këtë duhet vetë ta sqarojë Aziri se si është gjuajtur, ose ta sqarojnë ata rreth tij, duke aluduar në të akuzuarit e tjerë. Deklarata e Fetait shkaktoi reagim te avokatët Naser Raufi dhe Asmir Alispahiq, duke theksuar se prokurorja po e shkel të drejtën e prezumcionit të pafajësisë.

Aziri: Prokurori Bubevski nuk është objektiv

Mjekësia ligjore nuk ka dokument që i ka dorëzuar te ekspertët kompetentë projektilët e plumbave të nxjerra nga trupat e vrarë më 15 shkurt të vitit 2013, Mjekësia Ligjore ka deklaruar se janë dorëzuar projektilët, por gjatë seancës nuk e kanë shkruar në proces verbal.

Eksperti i balistikës tha se peshkatari Borço Stevkovski është vrarë me një lloj të armës, e cila nuk është përdorur te të vrarët tjerë. Aziri ndaj kësaj ka reaguar duke thënë se në akuzë shkruan se peshkatari është vrarë me dy lloje të armëve.

Si është e mundur që projektili i plumbit të gjendet në trup, ndërkaq një pjesë e saj që është më lehtë nuk është gjendur? Sa janë të gjata kanalet në trup të cilat janë bërë nga projektilët?
A mund të konstatohet kalibri i municionit me të cilin është gjuajtur, kur projektili është nxjerrë nga trupi? Ekspertët theksuan se nuk mund të konstatohet. Pas kësaj, Aziri us shpreh: “sipas mendimit tim mund të konstatohet, por s’tregojnë”.

Aziri kërkoi që të merren në pyetje edhe ekspertët e krim-teknikës që i kanë mbledhur dëshmitë nga vendi i ngjarjes, pasi që ekspertët e Mjekësisë Ligjore dhe ato të balistikës të gjithë punët i kanë kryer në laboratori dhe nuk kanë dalë t’i marrin nga terreni.

Aziri gjithashtu i pyeti mjekët e Mjekësisë Ligjore nëse është e mundur që personi i vrarë t’i mbajë çelësat në dorë, duke aluduar në peshkatarin, i cili sipas Mjekësisë Ligjore, pasi është gjetur i vrarë, në dorën e tij ka pasur një palë çelësa.

Mjeku nga Mjekësia Ligjore u përgjigj se ka mundësi, dhe ai përmendi një rast ku ata kanë gjetur një njeri të vetëvrarë dhe pistoletën ende e ka mbajtur në dorë.

Aziri sot gjithashtu tha se i beson gjykatës dhe sidomos për gjykatësit të lëndës Ognen Stavrev duke thënë se ka respekt për të. Ai tha se edhe Prokurorisë Speciale i beson, por sipas tij, prokurori Gavril Bubevski është i anshëm.

Ndaj kësaj ka reaguar prokurori duke kërkuar nga gjykatësi që të mos lejojë të japë deklaratë të tilla.

Raufi: Janë bë lëshime të qëllimshme, rasti është i montuar

Ka shumë mungesa te ekspertizat, si te atyre të balistikës, ashtu edhe të Mjekësisë Ligjore, kështu deklaroi avokati i palës mbrojtëse, Naser Raufi pasi mbaroi seanca e sotme gjyqësore.
“Sipas meje, janë bërë gabime të qëllimshme. Mungojnë shumë gëzhoja, mungesa e tyre nuk mund të shpjegohet më ndryshe përveç se vetëm si montim nga MPB, pasi që njëra nga gëzhojat lidhet me rastin e Belinbegovës (rast ku është i dënuar Fejzi Aziri), gjegjësisht gjoja se është përdorur e njëjta armë edhe në Belinbegovë edhe në Liqenin e Smillkovës. Është e paqartë se pse katër ditë kanë ngelur, nuk dihet se ku këto materialet e forenzikës, pse ekspertët i kanë dhënë pas katër ditëve, me 17 prill praktikisht dhe jo një ditë pas ngjarjes, gjegjësisht më 13 prill. Ne si palë mbrojtëse do t’i propozojmë dëshmitarë personat e krim-teknikës që kanë qenë prezent natën e ngjarjes në vend ngjarje. Do të shohim se kush brenda katër ditëve këto gëzhoja i ka poseduar dhe në mënyrë të paligjshme ua ka dhënë ekspertëve”, deklaroi Raufi.

Familjari i të akuzuarve, Bedri Ajdari tha se kontestuese është se mungojnë katër gëzhoja, ndërkaq sipas tij ekspertët nuk i tregojnë emrat e personave që kanë dhënë urdhër për t’u bërë montimi.
“Pas gjithë asaj ekspertize që është bërë, për të cilin rast është hetuar çdo milimetër i vendit të ngjarjes, mungojnë gëzhojat. Vërtetohet se te të vrarët ka më shumë plagë se sa gëzhoja. Kemi 25 plagë, ndërkaq janë vetëm 21 gëzhoja, pra 4 më pak. Ka paqartësi dhe parregullsi, pasi që kur ngushtohen në përgjigjet e tyre ekspertët, atëherë thonë se ne nuk kemi qenë në vend ngjarje, neve na kanë urdhëruar kështu, ngurojnë t’i tregojnë emrat e atyre që kanë dhënë urdhra dhe nuk tregojnë se kush ka qasje deri te depoja ku ruhen materialet. Krejt kjo e vë në dyshim se çdo gjë aty është montuar, njëri e ka bërë bartjen, tjetri e ka bërë kërkimin, tjetri e ka bërë analizën, kështu që sipas neve aty është punuar me dëshirë dhe urdhër të dikujt”, deklaroi Ajdari.

Seanca e radhës do të mbahet më 17 janar, ndërkaq seancë tjetër është caktuar për më 4 shkurt.