Digjet shtëpia e familjes Sulejmani në Hasanbeg, 12 persona mbeten në rrugë

Një ditë e ftohtë dhjetori, një zjarr që ka përfshirë gjithçka ka para vetes, një çati tashmë e shkatërruar, dritare të thyera, asnjë mobilje, as një copë veshjeje dhe një familje që mbetet në rrugë në stinën më të ftohtë të vitit. Kjo është historia e familjes Sulejmani nga Hasanbegu i Shkupit, të cilët kanë kaluar 24 orëshin më të vështirë të jetës së tyre, pasi dje shtëpia e tyre është përfshirë nga flakët.

Marketing

Zjarri mori me vete gjithçka dhe e la shtëpinë në këtë gjendje. Mobiljet dhe veshmbathjet tashmë ndodhen në oborrin e shtëpisë të shkatërruara tërësisht.

Shtëpia 4 dhomëshe ishte fole për dy familje prej gjithsej 12 anëtarëve. Dy dhomat e shkatërruara tërësisht i përkisnin njërës familje gjashtë anëtarëshe, të cilët dje kanë përjetuar tmerrin më të madh të jetës së tyre dhe pas një tmerri gjysëm orësh, aq sa edhe zgjati zjarri, u gjendën në rrugë me vetëm ato veshmbathje që i kishin në trup.

Rexhije Sulejmani flet për tmerrin që ka përjetuar gjatë ditës së djeshme, ajo nuk e ka të qartë se çfarë e ka shkaktuar zjarrin, dyshon vetëm se ka qenë energjia elektrike burimi i këtij zjarri, ndërkaq shpjegon se si është zhvilluar e gjithë ngjarja. Ajo falenderon Zotin që asnjëri nga fëmijët nuk ka qëlluar brenda gjatë kësaj fatkeqësie.

Rexhije Sulejmani: Deshta me dal prej dyerve, kur e shof një tym i zi dilte mbi shtëpi. Kam vrapuar, hyra tek kunati në dhomë, thash dilni se tym i zi po del mbi shtëpi. Unë hypa menjëherë mbi shtëpi, i hoqa tjegullat, mendova se është djegur tavani edhe nuk shkoj pak, dul tym prej dhomave, e shtyna derën edhe tymi i zi ma morri frymën…. Më pas erdhën komshinjtë për të na ndihmuar ta ndalim zjarrin…. Gjitha gjërat që kanë qenë këtu janë djegur, siç e shihni edhe vet. Shtëpia është e jona domethënë, kunati banon me neve, dy dhoma i ka ky edhe këto dyja i kemi pas ne… Rroba krejt çka ka pas janë djeg të gjitha…. Mbrëmë kemi qenë tek motra e burrit në Kumanovë, e për sonte inshaAllah Zoti na ndihmon, se s’kemi ku me shku.

Për të është shumë i dhimbshëm fakti që fëmijët e saj nuk kanë mundur sot ta ndjekin mësimin, për shkak se nuk kanë pasur se çfarë të veshin.

Gjendja ekonomike e kësaj familje ishte e rënduar edhe para rënies së zjarrit, asnjëri nga këto anëtarë nuk është i punësuar askund. E vetmja e ardhur në shtëpi, janë ndihmat financiare. Xhevat Sulejmani , një burrë i cili vuan nga shumë sëmundje thotë se kjo fatkeqësi që u ka trokitur në derë, e ka rënduar akoma më shumë gjendjen e familjes së tij.

Xhevat Sulejmani: Shtëpia është e vëllaut, dje pasdite u djeg, ne ishim duke ndenjur këtu përkohësisht, tash këtyre u janë djegur dhomat, dy po dy jo, tash kemi mbetur jashtë, njëra familje. Kërkojmë nëse kanë mundësi me na ndihmu. Kemi nevojë për vendbanim….. edhe teshat janë djegur të gjitha, asgjë nuk ka mbetur…. Unë marrë ndihmë financiare, vëllau merr për fëmiun e tretë ndihma.

Ekipi ynë ishte dëshmitar i një të ftohti të papërballueshëm për aq pak kohë sa na u desh për inxhizime, i ftohtë ky që vinte nga të gjitha anët e kësaj hapësire, ndërkaq po në këto hapësira e lamë këtë familje të thyer skajshmërisht, por me shpresën që njerëzit humanë do t’u zgjasin dorën e mëshirës dhe do tu mundësojnë që ta tejkalojnë këtë situatë tejet të vështirë në këtë dimër të ftohtë.