Inter do të luajë dy ndeshje pa tifozët për shkak të koreve raciste

Gjykatësi sportiv në Itali vepron me dorë të hekurt ndaj Interit.

Marketing

Klubi zikaltër është dënuar me dy ndeshje pa tifozë dhe një tjetër pa sektorin e tifozëve ultras të ashtuquajturin Curva Nord, për ngjarjet e shëmtuara që ndodhën në sfidën mes zikaltërve dhe Napolit.

Koret raciste që kanë përdorur tifozët e Interit ndaj mbrojtësit të Napolit Koulibaly, kanë detyruar gjykatësin sportiv të dënojë një nga tifozeritë më të zjarrta në botë, pasi në Itali, Interi nuk ka rivalë për sa i përket numrit të tifozëve në stadium pasi është klubi që ka numrin më të madh të fansave që i ndjekin ndeshjet nga shkallët e San Siros.

Megjithatë në këtë vendim të gjykatësit sportiv ndikoi edhe sjellja e tifozerisë zikaltër jashtë stadiumit aty ku një pjesë fansave të Interit sulmuan tifozët e Napolit dhe nga ku humbi jetën një tifoz i klubit milanez dhe u plagosën 4 napoletanë.

Në këtë mënyrë San Siro do të jetë bosh në ndeshjen e 1/8-ave të Kupës së Italisë mes Interit dhe Beneventos, gjithashtu në sfidën shtëpiake për Serinë A Inter-Sassuolo ndërsa tifozët ultras zikaltër do të mungojnë edhe në takimin Inter-Bologna sërish për kampionat.