Kryeministri Zaev paralajmëroi se këtë vit do të rritet rroga minimale në vend. Nuk dha hollësi se kur mund të bëhet kjo. Ai tha se rritja e rrogës minimale do të mundësojë të arrihet rroga e premtuar mesatare prej 500 eurove. Sipas tij, viti ka përfunduar me rrogë mesatare neto prej 400 eurove, kështu që nuk sheh ndonjë arsye pse këtë vit ajo të mos tejkalojë edhe 100 euro më shumë.
Dua të paralajmëroj vendim plotësues për rrogën minimale. Ajo do të rritet sepse me rritjen e rrogës minimale dhe hapjes së kësaj spiraleje pamë se ka efekt të mirë. Ky efekt dha rezultate, diku deri në shtator por edhe pas shtatori rrogat vazhduan të rriten- deklaroi Zoran Zaev.
Prioritet kryesor për Qeverinë është rritja e pagave dhe përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve, shtoi ministri i Financave Dragan Tevdovski. Përllogaritjet e tij janë se vitin e kaluar paga mesatare është rritur për 5,7 për qind, që është trefish më shumë krahasuar me vitet paraprake.
Shumica e qytetarëve jetojnë nga puna e tyre, jeton nga paga, nuk ka të ardhura nga kapitali. Dhe do të vazhdojmë të ushtrojmë presion të këtillë, presion por edhe mbështetje për ndërmarrjet. Të hapin vende më të mira të punë, të investojnë dhe praktikisht standardi jetësor i qytetarëve të shkojë përpara- deklaroi Dragan Tevdovski, ministër i Financave.
Fokusi për sivjet sipas pushtetit do të jenë investimet kapitale. Para së gjithash projektet infrastrukturore. Prioritet kryesor është zgjidhja e autostradës deri në kufirin me Kosovën, ndërsa paralajmërohet edhe angazhim më serioz edhe në akset tjera të filluara të autostradave. Ndonëse projeksioni për rritje të ekonomisë për sivjet është 3,2 për qind, pritjet e Qeverisë janë se bruto prodhimi vendor do të rritet për më shumë se 4 për qind. /Alsat/