KSHZ do të shpenzojë 299 milion e 200 mijë denarë për zbatimin e zgjedhjeve presidenciale.
Anëtarët e KShZ-së njëzëri miratuan planin financiar për këtë qëllim. Sipas tyre, pjesa më e madhe do të shpenzohet për anëtarët e këshillave zgjedhorë që do të zbatojnë zgjedhjet.
“Pjesa më e madhe e shpenzimeve të parashikuara për këtë fushatë janë planifikuar për mbulimin e shpenzimeve të administratës që zbaton zgjedhjet ku bëjnë pjesë anëtarët, zëvendësanëtarët e këshillave zgjedhorë, të cilat janë mbi 190 milion denarë”,- tha kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski.
Anëtarët e KSHZ-së paralajmëruan edhe iniciativë për ndryshime në Kodin Zgjedhor, që do të mundësonte votim elektronik.
Me këtë, sipas tyre, do të zvogëlohen shpenzimet dhe problemet me regjistrin zgjedhor. KShZ ndau edhe certifikatën për deputetin e ri, Rubin Zemon, që vjen në vend të koordinatorit të grupit parlamentar të LSDM-së, Tomisllav Tuntev, i cili dha dorëheqje nga pozita e deputetit pasi që tani do të drejtojë Agjencinë e Aviacionit Civil.