Pagesa K-15, Inspektorati shton kontrollet tek kompanitë private

Inspektorati Shtetëror i Punës ka përforcuar kontrollet tek kompanitë private për të kontrolluar nëse bëhet ose jo në rregull pagesa e K-15 apo rrogës së 13 për të punësuarit.

Marketing

Nga MPPS thonë se mbikëqyrja që ka filluar nga ky vit do të bëhet deri në fund të muajit shkurt. Inspektorët po i vizitojnë subjektet juridike, duke përfshirë edhe fabrikat për prodhimin e tekstilit dhe këpucëve, kjo për shkak të numrit të madh të ankesave në të kaluarën sidomos nga të punësuar në këto ndërmarrje.

Nga MPPS paralajmërojnë se në rastet ku do të konstatohet se nuk është vepruar sipas ligjit dhe marrëveshjeve kolektive, Inspektorati Shtetëror i Punës do të merr masa në pajtim me ligjet.

Ankesat në këtë drejtim në fakt janë bërë nga vetë punëtorët të cilët thonë se punëdhënësit ua hedhin paratë në xhirollogaritë e tyre për të qenë në rregull me ligjin, por më pas ju kërkohet t’ua kthejnë sërish pronarëve në dorë.
Por ky pohim mbetet për tu vërtetuar nga inspektorët pasi të punësuarit, kanë frikë që këtë fenomen ta bëjnë publik edhe para kamerave.