Kultura në Maqedoni në duart e femrës shqiptare

Galeria Kombëtare e Maqedonisë në vitin 2018 e kremtoi 70-të vjetorin e themelimit të saj. Viti jubilar ishte një sfidë për realizimin e një numri mbresëlënës të ekspozitave dhe eventeve në tre objektet e Galerisë Kombëtare të Maqedonisë (“Hamami i Daut Pashës”, “Çifte Hamami” dhe “Malla Stanica”) me përkushtim dhe profesionalizëm të madh të të gjithë ekipit të GKM i udhëhequr nga drejtoresha Dita Starova Qerimi. 

Marketing

Me punë ekipore Galeria Kombëtare e Maqedonisë u bë një tempull i mirëfilltë i artit

Ekspozitat retrospektive të veprave të Borko Llazeski, Ibrahim Kodra, Adem Kastrati, Dragan Poposki-Dada dhe Tanas Llullovski bashkë me solemnitetin qendror në shënimin e jubileut, i cili u mbajt më datë 5 dhjetor në “Hamamin e Daut Pashës”, janë pjesë e aktiviteteve të shumta të Galerisë Kombëtare të Maqedonisë (GKM) gjatë vitit 2018. Duke e shënuar jubileun e 70 vjetorit të themelimit të Galerisë Kombëtare të Maqedonisë u dëshmua si tempull i artit figurativ dhe promotor i jetës kulturore në Maqedoni. 

“Sot ne jemi  krenarë, por edhe të mbushur me ndjenjën e madhe të përgjegjësisë se gjeneratës sonë i është dhëna mundësia historike të jetë pjesë kontemporane e sintezës së kolosëve gurthemelues të Galerisë, me veprimin e tyre të unifikimit dhe krijimtarinë e pasur artistike, para së gjithash me gurthemeluesit e artit figurativ maqedonas dhe të Galerisë Kombëtare të Maqedonisë: Llazar Liçenoski, Nikolla Martinoski, Dimo Todorovski, Dimço Koco dhe artistët e tjerë të asaj periudhe”: theksoi Dr. Dita Starova Qerimi, drejtoreshë e GKM, në fjalën e saj përshëndetëse drejtuar të pranishmëve në ceremoninë me të cilën u shënua jubileu i GKM. 

Po atë natë, u hap edhe ekspozita “Fillesat për mbajtje mend”, me të cilën u prezantuan 150 fletë të dokumentacionit origjinal arkivor nga viti 1948 deri në vitin 1956 të cilët janë dëshmi për storjen e suksesshme që ka të bëjë me formimin e Galerisë, përmbledhjen e Galerisë dhe me mënyrën e udhëheqjes së Galerisë. 

 

Për veprimtarinë e institucionit fjalë mbajti edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, akademiku Taki Fiti, i cili nënvizoi se ASHAM dhe GKM kanë një lidhje të natyrshme organike. 

“Që nga viti 1948 kur u themelua dhe formua Galeria Kombëtare e Maqedonisë, qëllimet dhe detyrat themelore të saj u definuan qartë, ta evidentoj pasurinë kombëtare kulturore, ta grumbulloj, ta blej, ta prezantoj para publikut më të gjerë dhe, nënkuptohet, t’i prezantoj edhe rrjedhat bashkëkohore të krijimtarisë figurative, dhe mendoj se nëse e shohim trajektoren e zhvillimit të këtij institucioni të rëndësishëm kombëtar, ajo absolutisht i plotësoi dhe definoi detyrat e përcaktuara”, tha akademiku, Taki Fiti. 

Jubileu u shënua nën patronazhin e Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili nënvizoi se institucionet e këtilla kombëtare shërbejnë dhe u ndihmojnë gjeneratave të reja të lidhen me historinë dhe veprat e atyre të cilët kanë jetuar para nesh, ndërsa njëkohësisht të ndërtojnë shoqëri inter-kulturore. Në manifestimin jubilar iu ndanë mirënjohje për bashkëpunimin shumëvjeçar dhe të suksesshëm me GKM: Qeverisë së RM, përfaqësuesve të korit diplomatik, institucioneve shtetërore dhe gazetarëve. 

 

GKM e filloi shënimin e 70-të vjetorit të themelimit me jubileun “100 vjet nga lindja e Borko Llazeski (1917-1993)“, e që ndodhi në muajin shkurt të vitit 2018. Muaji mars iu përkushtua femrave dhe në nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas u realizua ekspozita “Gratë e mrekullueshme nga koleksioni i Galerisë Kombëtare të Maqedonisë”. Muaji prilli u ngjyros me ngjyrë blu, në shenjë të ndërgjegjësimit në luftën me autizimin, ndërkohë që filloi edhe programi edukativ “Arti për të gjithë”, i mbështetur nga Ambasada e Holandës në RM. 

 

 

Vepër e Ibrahim Kodrës  

Programi për muajin maj solli edhe një jubile dinjitoz për shënimin e: “100 vjet nga lindja e Ibrahim Kodrës”, artistit të njohur botëror shqiptar (22.04.1918, Ishëm, Shqipëri – 07.02.2006, Milano, Itali), i cili në aspektin krijues zhvillohet në Akademinë Botërore të Arteve Figurative Brera dhe pastaj shoqërohet dhe ekspozon me emrat më të njohur të artit botëror në atë kohë, siç është: Pablo Pikaso, Anri Matis, Amadeo Modilani, Zhorzh Ruo, Zhorzh Brak, Huan Miro, Oskar Kokoshka e të tjerë. Në ekspozitën e organizuar në GKM u ekspozuan 50 piktura, vizatime dhe skulptura, pronë e Fondacionit “Ibrahim Kodra” nga Milano, Itali, i cili posedon vepra të rëndësishme nga periudhat e ndryshme krijuese të Ibrahim Kodrës. 

                                           Ibrahim Kodra “Shqipëria Fantastike”

Vepër e Adem Kastratit 

Në muajin qershor u hap ekspozita retrospektive e Adem Kastratit (1933-2000), njëri nga piktorët më të rëndësishëm shqiptar, i cili me veprat e tij la gjurmë të përhershme për kohën e kaluar. Kastrati është njëri nga doajenët në mesin e piktorëve shqiptarë në Maqedoni, ku ka jetuar dhe krijuar më shumë se dyzetë vjet, ndërsa piktor i njohur është bërë me teknikën e tij specifike të pikturimit me dhe, qasje kjo e cila është origjinale dhe e veçantë. 

Gjatë periudhës së verës filloi realizimi i fazës së parë të projektit “Restaurimi i dëmtimeve nga lagështia (enterier dhe eksterier), mbrojtja nga depërtimi i ujërave atmosferikë, mbrojtja nga rrezatimi UV dhe vendosja e gardhit në asetin kulturor “Çifte Hamam”. Është me rëndësi të theksohet se realizimi i projektit GKM fitoi grant të cilin ia akordoi Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë nga Programi Federal “Fondi i Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Mbrojtjen e Kulturës” për vitin 2018. Në aktin e nënshkrimit të Marrëveshjes për grantin morën pjesë SH.T. Xhes Bejli, Ambasador i SHBA në RM dhe Asaf Ademi, ministër i Kulturës së Republikës së Maqedonisë, ndërsa akordimi i grantit ishte një arritje e madhe në praktikën menaxheriale të GKM dhe në sigurimin e burimit jobuxhetor të mjeteve monetare. 

                                                         Vepër e Adem Kastratit

Dita Starova Qerimi, Xhes Bejli dhe Asaf Ademi 

Realizimi i projektit në “Çifte Hamam” është parashikuar të zhvillohet brenda periudhës kohore prej 18 muajsh, duke filluar nga muaji qershor i vitit 2018, ndërsa planifikohet të përfundoj në fund të vitit 2019. Bëhet fjalë për grant të dytë, të akorduar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa granti i parë u akordua në vitin 2010 për rikonstruksionin dhe ndërtimin e kanalit për kullim në “Hamamin e Daut Pashës”. 

Në gjysmën e dytë të vitit u realizuan ekspozitat: “Pllakati në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë”, në të cilën u ekspozuan pllakatet të cilat u dizajnuan me rastin e ekspozitave të ndryshme në shtatë dekadat e fundit, pastaj “Vepra të autorëve slloven, kroatë, serbë, malazezë, boshnjakë dhe hercegovas” nga koleksioni i GKM, me të cilën gjeneratat e reja patën mundësi të njoftohen me historikun e artit në këto hapësira dhe të realizojnë takime mbresëlënëse me veprat që nënkuptojnë “histori”, “të kaluar” të cilat kanë qenë dhe janë stimulim dhe inspirim për hulumtimet e mëtutjeshme të artit figurativ, si dhe ekspozitat retrospektive të Dragan Poposki-Dada dhe të Tanas Llullovski-Tane. 

 

Ekspozitë retrospektive e Dragan Poposki – Dada 

Dragan Poposki – Dada (1933) është pjesëtar i gjeneratave të para të pasluftës të skulptorëve  maqedonas, ndërsa krijimtaria e tij është thellë e gërshetuar në zhvillimin dhe arritjet kualitative të skulpturës maqedonase të pasluftës. Njëra nga karakteristikat e krijimtarisë emocionale dhe intime të të madhit Tanas Llullovski (1940-2006) është piktura e tij karakteristike dhe konsekuente hiper-realiste me një sensibilitet të hollë në të cilin është përfshirë drama, por edhe bukuria dhe shpresa. 

 

Ekipi autorial për retrospektivën e Tanas Llullovski 

Nga veprat e tjera duhet të theksohen edhe “Kryeveprat nga thesari i GKM: Ekspozitë e Vllaho Bukovac”, foto-ekspozita e Afrim Spahiut nga Kosova, “Portretet e lavdishëm të Nadar” në “Malla Stanica”, ekspozita vjetore e shkollave fillore “Dada dhe unë”, ekspozita me vepra figurative nga Kolonia e parë maqedono-greke “Ura kulturore”, si dhe ekspozita vjetore SHAFM, Osten, etj. 

Kah fundi i vitit në “Çifte Hamam” u hap ekspozita “Pafundësia” e Petre Nikolloski, ndërsa në “Malla Stanica” u ekspozuan pllakate të Ladisllav Cvetkovski. 

 

Hapja e ekspozitës “Pafundësia” e Petre Nikolloski 

Projekti multidisiplinar “Pafundësia” e Petre Nikolloski drejtpërdrejt ndërlidhet me formën letrare dhe me fjalën, të cilat nga pikëpamja intelektuale-filozofike do të shndërrohen në formë tredimensionale e cila e transponon ndjenjën e Dijes dhe Mendimit (e cila është thelbi i botës dhe progresit, dhe gjithsesi edhe i historisë, nacionalitetit dhe identitetit). 

 

Ekspozita “Pafundësia” e Petre Nikolloski 

Ekspozita personale e pllakateve autoriale të Lladisllav Cvetkovski ishte pjesë e projektit të tij artistik “Komentet e Mia” nga cikli “Crnilla”. Ekspozita i pasqyroi përafërsisht 70-të pllakate autoriale dhe pllakate aktuale shoqërore – kritike, të cilat u publikuan në Fejsbuk, ndërsa për herë të parë u prezantuan në formë të shtypur në Maqedoni. 

Rezultatet impozante të Galerisë Kombëtare gjatë vitit 2018 janë fryt i aktivitetit profesional, të përkushtuar dhe afatgjatë të të gjithë ekipit të GKM të udhëhequr nga drejtoresha Dita Starova Qerimi. Një kontribut profesional dhe autorial në organizimin e ekspozitave kishin kustosët Maja Çankullovska Mihajllovska, Ana Frangovska, Maja Nedelkoska Brzanova, Maja Kërstevska, Emine Sulejmani, Krilill Penushliski, Goranço Gjorgievski,Xhenete Bilalli,  Aleksandra Zinovska Viliq, Nazife Ademi, Tatjana Bundaleska, Sllavica Aleksoska, Shqipe Memeti,Narona Luma Veseli si edhe të punësuar të tjerë në GKM. 

 

Ekipi i Galerisë Kombëtare të Maqedonisë 

“Puna cilësore ekipore është pasqyra e një institucioni”, theksoi Dita Starova Qerimi në intervistën për MKD.mk, që u realizua brenda vitit. Është më se evidente se qasja e këtillë ka rezultate fantastike. Si konfirmim të këtij fakti është ajo që në muajin maj të vitit 2018 Galeria Kombëtare e Maqedonisë e fitoi çmimin Komiteti Nacional Maqedonas ICOM për projektin muzeal të vitit për ekspozitën “90 vjet nga lindja e Petar Mazev”, e cila u mbajt në vitin 2017. Kontinuiteti i ekspozitave të realizuara po ashtu rezultoi me sukses. 

Edhe një karakteristikë e GKM është se për çdo ekspozitë të madhe ose retrospektive përgatit katalog të ilustruar monografik, vëllimor, përmbajtësor dhe profesional. Pas përfundimit të çdo ekspozite veprat i kthehen autorit ose vendosen në depo, ndërsa gjurmën e përhershme e lë pikërisht katalogu i shtypur për ekspozitën. Ky fakt është absolvuar nga ana e njerëzve në GKM ndërsa vëmendje të madhe i përkushtojnë përgatitjes dhe shtypjes së katalogëve. Ndër  aktivitetet e para të GKM në vitin 2019 është përgatitja dhe promovimi i katalogut të ekspozitës “Pafundësia” të Petre Nikolloski. 

Duke i pasur parasysh tre vitet paraprake dhe rezultatet e arritura në vitin 2018 nuk duhet të befasohemi fare nëse në fund të vitit 2019 vështrimi ndaj punës së Galerisë Kombëtare të Maqedonisë do të jetë akoma më gjithëpërfshirës, gjithsesi për kënaqësinë e mbarë publikut kulturor dhe figurativ në Maqedoni.