Deputetët mbështesin Lëvizjen Anti-Bixhoz, lojërat e fatit të largohen 3 km nga qyteti

Pas protestave të Lëvizjes Anti-bixhoz që lojërat e fatit të largohen nga qytetet, amendamentet e tyre sot u pranuan në Kuvend. Anëtarët e kësaj lëvizje u shprehen të kënaqur me përkrahjen e partive politike shqiptare.

Marketing

Ata shpresojnë se më në fund do të arrijnë të korrin fitore kundër ndaj, siç e quajnë ata, të keqes e cila ka kapluar rininë në Maqedoni.

“Ishim në takim me deputetët, propozues për ndryshim të ligjit për lojërat e fatit dhe kryetarin e Kuvendit, ku dorëzuam amendamentet tona dhe kërkesën prej protestës së 21 dhjetorit. Kemi shumë bindje prej deputetëve dhe kryetarit të parlamentit se ky ligj do të kalojë, dhe kërkesa jonë e cila është lojërat e fatit të jenë 3km jashtë qytetit. Përkrahje kemi nga të gjitha partitë politike shqiptare, pa rezervë të gjitha, por shumë e rezervuar është partia e LSDM-së”, tha Ejush Emrullahi – Lëvizja Antibixhoz.

Rexhail Ismaili nga BDI, mbështet iniciativën e Lëvizjes Anti-bixhoz. Ai deklaroi se të mërkurën në Komisionin për Financa dhe buxhet në të cilin do të merr pjesë edhe kjo Lëvizje, do të shtrojë këtë çështje për të përcaktuar datën për mbajtje të debatit publik.

“Me iniciativë të Lëvizjes Anti-Bixhoz ,ne para 3 muajve kemi propozuar, propozim ligjin i cili është në procedurë parlamentare, ka kaluar në leximin e parë, kurse sot patëm një takim për të konfirmuar mbështetjen për Iniciativën e Lëvizjes Anti-Bixhoz dhe për të vazhduar procedurat e mëtutjeshme rreth propozim ligjit që e kemi në procedurë parlamentare. Ne jemi për një zgjidhje e cila do të jetë e pranueshme për popullatën, dhe këtë problem ta zgjidhim njëherë e përgjithmonë. Pra edhe njëherë bëj thirrje që pas debatit publik të ulemi të gjitha grupet parlamentare dhe ta zgjidhim këtë problem”, u shpreh Rexhail Ismaili – Deputet i BDI-së.

Edhe deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli, shprehi mbështetje të parezervuar për këtë iniciativë, të cilët e konsideron si iniciativë për të mirën e përgjithshme.

“I përkrahim të gjitha lëvizjet që janë Anti-bixhoz, përkrahim edhe Lëvizjen Anti-bixhoz nga Tetova, për diskolimin e këtyre objekteve të cilat janë në afërsi të shkollave apo institucioneve të tjera. Do të ishte me interes që këto objekte të dislokohen dhe mundësisht të merret modeli i Shqipërisë që të ndalohet veprimtaria e tyre. Unë si deputet në Kuvendnin Republikan do të jap maksimumin që ti përkrahi në qëllimet që janë shumë sublime dhe janë në interes të qytetarëve të vendit”, tha Fadil Zendeli – Deputet i Lëvizjes Besa.

Kërkesat e Lëvizjes Anti-bixhoz të dala nga protesta e mbajtur në Tetovë më 21.12.2018 janë :
Të gjitha objektet e lojërave të fatit, kazinot, bastoret sportive si dhe të gjitha lojërat e ngjashme të fatit të largohen 3 km nga vendbanimet.

Ndarje e 5% që vjen nga lojërat e fatit të përdoret për riparimin e objekteve me interes publik si shkolla, çerdhe, biblioteka, spitale si dhe shoqatave dhe qendrave që organizojnë aktivitete për rehabilitimin e të varurve nga lojërat e fatit.

Të hartohet strategji nacionale për të edukuar nxënësit, studentët dhe të gjithë qytetarët për dëmin që ua shkakton bixhozi.