Kërkesat e protestuesve që kanë pushtuar Francën prej nëntorit të kaluar do të jenë në fokus të një debati mbarëkombëtar që qeveria franceze po organizon duke nisur nga dita e nesërme deri në datën në 15 mars. Presidenti Macron në një letër drejtuar popullit francez tha se debatet do të trajtojnë çdo temë pa përjashtim, duke u fokusuar në katër shtylla kryesore, si taksat, shërbimet publike, masat mjedisore dhe demokracia.
Prej ditës së martë, publiku francez do të bëhet pjesë e një debati të gjerë mbarëkombëtar që do të zgjatë për tre muaj me radhë.
Nisma e shpallur në fundvitin e kaluar si përgjigje ndaj protestave disajavore antiqeveritare u njoftua të hënën nga presidenti i vendit, Emannuel Macron.
Përmes një letre të hapur për popullin francez, kreu i Elizesë ftoi qytetarët që të paraqesin shqetësimet e tyre duke u mbështetur në katër shtylla kryesore, si taksat, organizimi i shtetit dhe i shërbimeve publike, masat ekologjike, dhe demokracia qytetare.
Presidenti Macron pranoi se ai solidarizohet me kërkesat e shprehura nga protestuesit “jelekverdhë”, por pa saktësuar nëse do të heqë dorë nga reformat e tij pro biznesit, për të cilat akuzohet si “presidenti i të pasurve”.
Kreu i Shtetit informoi se debatet e ardhshme do të diskutojnë çdo problem pa përjashtim, dhe do i tregojnë botës se francezët janë një popull që nuk ka frikë nga konsultat dhe rrahja e mendimeve.
Edhe qeveria franceze konfirmoi të hënën gatishmërinë për të ulur taksat e kritikuara, por theksoi se qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se kjo masë do të kërkojë me patjetër shkurtimin e buxhetit për veprat publike.
Debati i madh kombëtar në Francë do të zgjatë deri në datën 15 mars, periudhë në të cilën presidenti Macron pritet të raportojë përfundimin e konsultave dhe arritjet e shënuara.