Konsullatë nderi e Shqipërisë hapet në Manastir

Qeveria e Maqedonisë mori vendim për hapjen e Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë me seli në Manastir.

Marketing

Me vendim qeveritar të miratuar më 8 janar të këtij viti dhe të shpallur në Gazetën Zyrtare të RM-së jepet pëlqimi që Ymer Selmani të emërohet konsull nderi i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë me seli në Manastir.
Vendimin qeveritar do ta zbatojë Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë.

Përndryshe, nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë deri më sot në Manastir janë hapur 13 konsullata nderi të po kaq shteteve të Evropës. Prej tyre, tri konsullata nderi (Kroacia, Britania e Madhe dhe Sllovenia), përkohësisht nuk punojnë, Republika e Bullgarisë në Manastir ka Konsullatë të Përgjithshme, ndërsa Republika e Greqisë ka Zyrë të Hapur për Lidhje në këtë qytet.