Albanologët: Nevojiten kurse për aftësim të lektorëve dhe përzgjedhje transparente e gjuhëtarëve

Për të kontrolluar zbatimin në praktikë të Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe do të formohen dy institucione: Agjencia për zbatimin e gjuhëve e përbërë nga përkthyes të autorizuar gjuhësorë, linguistë, filozofë dhe lektorë të licencuar dhe Inspektorati për përdorimin e gjuhëve.

Marketing

Albanologu, Avzi Mustafa, thotë se kujdes i veçantë nevojitet gjatë punësimit të lektorëve, andaj ai propozon të realizohet testimi paraprak nga një ekip profesorësh për njohjen e gjuhës shqipe dhe maqedonase në mënyrë që të garantohet se në të ardhmen nuk do të hasim në gabime, siç ka pasur deri më tani. Po ashtu, sipas Mustafës, duhet të organizohen kurse për aftësimin e lektorëve.
“Sa i përket kuadrit të lektorëve, unë mendoj se ata fillimisht duhet të dëgjojnë ndonjë kurs, të aftësohen, dhe ata të cilët do të konkurrojnë, duhet të kenë njohje të shkëlqyer të gjuhës shqipe dhe ata janë të detyruar të njohin mirë edhe gjuhën maqedonase, sepse duhet të bëjnë përkthime të dokumenteve të ndryshme, shtetërore, administrative, ku hasen gabime të ndryshme”,- tha albanologu, Avzi Mustafa.

Edhe albanologia, Ajtene Qamili, vlerëson se përzgjedhja e kuadrit për implementimin e Ligjit të gjuhës shqipe duhet të bëhet në mënyrë transparente, që të përzgjidhet kuadër cilësor.

“Përzgjedhjen e tyre duhet ta bëjnë vetë institucionet ku punojnë gjuhëtarët, në mënyrë të drejtë, transparente, te drejtori i Agjencisë, i cili është pjesë nga Qeveria, por me stafin e institucioneve ku punojnë, siç janë Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Shkup, Tetovë dhe ITKSh, sepse numri i albanologëve që kanë doktoruar nuk është aq i madh dhe lehtë mund të bëhet përzgjedhja në mënyrë korrekte dhe jo me bisedime sekrete dhe individuale”,- u shpreh albanologia, Ajtene Qamili.

Albanologët, Mustafa dhe Qamili, konsiderojnë se Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve do jetë mbikëqyrëse e zbatimit të gjuhës standarde, me çka në të ardhmen do të evitohen gabimet gjuhësore dhe përmbajtësore të cilat janë detektuar shumë herë në tabelat dhe përkthimet zyrtare.