Punonjësit e shkollave fillore, ato të mesme dhe universitetet publike të Kosovës, janë hedhur në një grevë të përgjithshme, për t’i bërë trysni qeverisë që të ndryshojë ligjin e pagave, duke rritur normën e pagesës për të gjithë punonjësit e sistemit arsimor publik.
Krerët e sindikatave të arsimit thonë se greva do të vazhdojë deri sa të zbatohen kërkesat e paraqitura. Pretendimi i tyre është që normat e parashikuara në ligj të rriten me të paktën 30 për qind.
Kështu sot ka qenë dita e dytë që nxënësit kanë lënë bankat e tyre shkollore bosh.
Mirëpo një mësuese u ka kërkuar falje nxënësve të saj për humbjen e mësimit.
Përmes një letreje Shkurta Sylejmani u ka kërkuar falje kështu duke u arsyetuar se pse fëmijët po humbin mësim.
LETËR KUSHTUAR NXËNËSIT TIM: MË FAL!
Nxënësi im i dashur,
Në vend që sot të jesh në shkollë, i ulur në bankën tënde i përmalluar dhe i gëzuar për t’i parë shokët dhe shoqet e klasës, për të rimarrë lapsin dhe të shfaqësh se çfarë ke ushtruar apo bërë gjatë pushimit dimëror, për të shkëmbyer përqafime me mësuesen dhe ndjerë ngrohtësinë që ka munguar për sa ditë, ty si krijesa më e pafajshme në rruzull të zëvendësohen këto veprimtari me të qëndruarit në shtëpi, si pasojë e disa personave që nuk kanë respektuar ligjin.
Ty tash po të duhet që bashkë me gjithë familjen çdo natë t’i përcjellësh mediat për risitë nëse do shkosh nesër në shkollë të mësosh, apo jo?! Dëgjon pikat kyçe të lajmeve: – “Greva vazhdon” dhe të mjafton kjo fjali që të largohesh i mërzitur nga ekrani i TV (të siguroj që edhe unë njëjtë veproj).
Më beso që po më dhemb zemra dhe të kërkoj falje sepse po ndihem e pafuqishme se si po humbet koha e mësimit që unë nuk po mundem të dalë para teje dhe të bart njohuritë e çdo dite, që të themi këngën tonë në fillim të ditës me zërin tuaj aq të ëmbël, që të bëjmë aktivitete, shaka madje edhe kritikat konstruktive të cilat i kupton si një i rritur, që të shikoj ata sy të etur për dituri, të kontrolloj se si punon detyrat me ato duar të vockla e të arta. Sa do të doja që këto të jenë të realizueshme këto momente! Sa e çmueshme është koha për të mospasuruar trurin, por për njerëzit si ata më i rëndësishem është pasurimi i xhepit!
Dëshiron të dish pse nuk po të lejohet të vish në shkollë?
Sepse bota e të rriturve është e çuditshme dhe nuk e kuptojnë as vetë. Sepse je duke u rritur në një shtet ku drejtësia njihet vetëm si fjalë. Ku kryefamiljari (udhëheqësi i shtetit) e han gjithë bukën e gojës vetëm kurse anëtarëve tjerë iu dhuron vetëm kafshatat apo të lënat e bukës. Do një këshillë nga mësuesja? “Asnjëherë mos i mendo të tjerët si veten”.
Gjithmonë të kam thënë se kur të rritesh, për ta realizuar ëndrrën tënde duhet të punosh, lexosh, studiosh shumë, sepse ndryshe është vështirë t’iu plotësosh dëshirat fëmijëve të tu kur të krijosh familje. Të kërkoj falje për këtë mësim joreal të kohës, po i tërheqi këto fjalë! Te ne është gjithçka ndryshe. Tani me bindjen më të plotë po të them: “Nuk ke nevojë të lodhesh edhe aq shumë, të mjafton të kesh dikë, bëhesh shofer i kryeministrit apo punon si sigurim në ndonjë kompani të madhe dhe e ke jetën e garantuar si për vete ashtu edhe për familjen tënde. Megjithatë, ashtu si themi në klasë: “Ditura është pasuri”, ti mëso për vete, për prindërit, ushqeje trurin tënd çdoherë me mendimin se mund t’i arrish ambiciet.
Arsyeja e grevës është sepse mësuesja dhe kolegët e saj po kërkojnë të respektohen të drejtat e tyre dhe të marrin vlerësimin e merituar por a di çka? Kur ne filluam të ngritim zërin:
• U ngritën edhe ofendimet ndaj nesh (nga maja e shtetit);
• U ngritën nënçmimet se ne nuk po punojmë aspak me ju dhe nuk po iu edukojmë (nga prindërit);
• U ngritën paragjykimet se ne mbajmë vetëm 3 orë punë (nga profesionet tjera);
• U ngritën të gjithë ata që shkrim-leximin e kanë mësuar nga ne e tani kanë qasje tjetër të cilët kur ishin në moshën tënde i kanë mbushur çantën mësueses me kartolina të shkruara me ato pak fjalë që ka ditur deri atëherë (nga ish-nxënësit).
Ti si qenia më e sinqertë, a pajtohesh me këto të thëna?!
Nga zemra po të lus për disa gjëra:
– Zhvillimi fizik, emocional dhe intelektual yti po bëhen në një ambient ku nuk ujitet dituria por padrejtësia. Më premto që nuk do lejosh të ndikohesh nga kjo!
– Rritu i fuqishëm, ngrite zërin ndaj padrejtësisë dhe mos lejo askënd të të shkelë (por gjithmonë duke treguar edukatë)!
– Pa marrë parasysh se çfarë do bëhesh, mos puno për të holla. Bëje profesionin me dashuri, të hollat vinë e ikin kurse personaliteti dhe sjellja e bëjnë njeriun të pasur.
– Mos i harro prindërit dhe kontributin që kanë bërë për ty, mundohu t’i bësh krenarë sepse janë të vetmit që duan të të shohin më lart se ata!
– Vezullo gjithkund!
Si përfundim për të plotësuar këto më lart të lutem plotëso përgjigjen e saktë:
– Sa herë mësuesja ua shpjegon një detyrë?
A. 10x
B. 15x
C. 20x
– Kur e shfrytëzon mësuesja karrigen që ka?
A. Kur shkruan orën
B. Kur vendos nota
C. Kur kontrollon diçka
– Sa herë mbani ushtrime/teste në një lëndë brenda gjysmëvjetorit?
A. Pas çdo kapitulli
B. Pas çdo teme
– Kush ua sjell testet e kontrolluara në klasë?
A. Prindi
B. Mësuesja
C. Ministrat
– Sa plane shihni në bankën e mësueses?
A. 2-3
B. 3-4
C. 5
– Kush mban përgjegjësi dhe kujdeset për ty kur rrëzohesh?___________
– Kush qan me ty kur ti nuk ndjehesh mirë ose tregon ndonjë problem që ke? __________
– Kush qëndron me ty pas mësimit kur prindi vonohet që të të marrë? ____________
– Kush kujdeset për shëndetin tënd në shkollë? __________
Padyshim që këto të gjitha i bën vetëm një person i shenjtë: MËSUESJA.
Mësuesja:
Shkurta Sylejmani
“Një mësues i mirë është si një qiri. Ai konsumon vetveten për t`ua ndriçuar rrugën të tjerëve.” N.Frashëri