Ligji për përdorimin e gjuhëve ka hyrë në fuqi që nga dita e shpalljes në Gazetën Zyrtare.
1.7 milion euro janë paraparë për implementimin e tij, por shifra është përllogaritje vetëm e harxhimeve për Agjencinë e zbatimit të gjuhëve dhe Inspektoratin, që janë institucionet bazë që do të merren dhe kontrollojnë respektimin e këtij ligji.
Gjithsesi, implementimi në praktikë i ligjit do të ketë një kosto më të lartë se kaq. Duhet ndarë mjete për punësime të reja.
Çdo institucion shtetëror duhet të ketë përkthyes shqiptarë, përveç përkthyesve të autorizuar, do të punësohen edhe lektorë dhe linguistë.
Të punësuarit që kanë komunikim me qytetarët duhet t’i njohin të dyja gjuhët.
Në afat 6 mujor institucionet duhet të figurojnë në tre gjuhë, maqedonisht, shqip dhe anglisht.
Të gjitha institucionet në vend duhet të krijojnë kushte që Ligji për përdorimin e gjuhëve të zbatohet në praktikë, thonë nga Qeveria.
Por, se sa mund të kushtojë zbatimi i ligjit, për momentin nuk ka shifra konkrete.
“Për momentin nuk kemi shumë të saktë se sa do kushtojë. Nga ajo që e posedojmë si informacion është se në buxhetin e vitit të kaluar ishin të siguruara diku mbi 100 milion denarë për themelimin e dy institucioneve të cilat duhen të themelohen në bazë të ligjit dhe do kenë përsipër të monitorojnë zbatimin e ligjit në praktikë”,- tha zëdhënësi i qeverisë, Muhamed Hoxha.
Hoxha përkujton se ligji vlen njësoj për të gjitha institucionet dhe ata që nuk e praktikojnë do të ndëshkohen.
“Ligji vlen për të gjithë, në këtë rast vlen për të gjitha institucionet të cilat janë. Ato institucione të cilat nuk do praktikojnë përdorimin e gjuhëve në pajtueshmëri me ligjin që ka hyrë në fuqi janë parashikuar edhe ndëshkime me nen të veçantë në ligjin në fjalë”,- tha zëdhënësi i qeverisë, Muhamed Hoxha.
Për mosrespektimin e dygjuhësisë janë paraparë sanksione prej 4000 deri në 5000 euro për institucionet.