Numri i viktimave nga shpërthimi i një tubacioni të gazit në Meksikë është rritur në 73, ndërkaq 74 persona të tjerë janë plagosur.
Omar Fayad, guvernatori i shtetit Hidalgo, ku ka ndodhur shpërthimi, në një konferencë për media të mbajtur në orët e vona të 19 janarit, tha se edhe pesë trupa të pajetë janë gjetur në vendngjarje. Shpërthimi ka ndodhur pas rrjedhjes së karburantit nga tubacioni i gazit.
Qindra persona, përfshirë fëmijë, kishin dalë në vendin ku kishte filluar rrjedhja e karburantit në mënyrë që ta vjedhin atë, pak para se të ndodhte shpërthimi.
Prokurori i Përgjithshëm i Meksikës, Alejandro Gertz Manero tha se hetuesit janë duke hetuar se çfarë shkaktoi shpërthimin. Deri më tani nuk ka të arrestuar për këtë ngjarje, ka njoftuar Manero.