Trumpit i refuzohet propozimi për hapjen e qeverisë ende pa e publikuar

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka propozuar një marrëveshje për t’i dhënë fund mbylljes së pjesshme të qeverisë. Pavarësisht kësaj, demokratët e kanë refuzuar atë para se presidenti të fillonte të fliste.

Marketing

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti e paraqiti një plan që do ta zgjeronte mbrojtjen e imigrantëve të rinj që nuk kanë dokumente, të cilët janë sjellur në Shtetet e Bashkuara kur kanë qenë fëmijë dhe të disa imigrantëve tjerë nga Amerika Qendrore dhe kombet afrikane në këmbim të 5.7 miliardë dollarëve për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën.

“Muri nuk është gjë e pamoralshme. E majta radikale nuk mund t’i kontrollojë asnjëherë kufijtë tanë. Nuk do të lejoj asnjëherë që kjo gjë të ndodhë. Si kandidat për president, kam premtuar se do ta zgjidh këtë krizë dhe synoj ta plotësoj këtë premtim në një mënyrë apo një tjetër”, tha presidenti amerikan.

Sidoqoftë, para se presidenti ta jepte këtë deklaratë, udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e kritikoi ashpër propozimin e tij. “Demokratët kanë pasur shpresë se presidenti më në fund do ta rihapë qeverinë dhe të zhvillojë diskutime për ta mbrojtur kufirin. Për fat të keq, propozimi i tij është një grumbull i nismave që janë refuzuar më parë dhe të cilat janë të papranueshme” tha Pelosi, shkruan “The Guardian”.