Juventusi e mund skuadrën e fundit në Serie A, e vazhdon ecurinë e përkryer pa humbje

Juventusi e ka vazhduar ecurinë e përkryer pa humbje si dhe epërsinë prej nëntë pikëve ndaj përcjellësit të parë , Napolit në krye të Serie A, pasi të hënën e mposhti 3-0 skuadrën e fundit në tabelë, Chievion, në Torino.
Skuadra e Massimiliano Allegrit e regjistroi fitoren e 18 në 20 ndeshje deri tani në ligën elitare italiane, pasi me lehtësi e mundi Chievon në “Allianz Arenan” gjysmë të zbrazur, raporton Gazeta Express.

Marketing

Douglas Costa, Emre Can dhe Daniele Rugani u përkujdesen që ecuria e përkreyr pa humbje e kampionit në fuqi të vazhdojë edhe pas javës së 20-të. Juve është ndalur në vetëm dy ndeshje këtë tani këtë sezon në ligë, nga Genoa me një barazim pa gola dhe nga Atalanta me një barazim 2-2.

Pas një çereku lojë, Douglas Costa i kaloi vendasit në epërsi me një super solo gol. Braziliani mori topin pothuajse në mesin e fushës dhe dribloi deri para 16-metërsisht nga ku goditi fuqishëm duke e mposhtur Federico Sorrentinon.
Në sekondat e fundit të pjesës së parë, mesfushori gjerman Emre Can e dyfishoi epërsinë duke shënuar nga afërsia pasi u la i vetëm te pika e penalltisë.

Chievo, që ka vetëm një fitore deri tani këtë sezon, qe e pafuqishme t’i bëjë ballë bardhezinjve në shtëpinë e tyre.
Cristiano Ronaldo pati mundësinë ta trefishojë rezultatin dhe ta regjistrojë golin e tij të 15-të në Serie A, por dështoi të shënojë nga penalltia.

Në fakt, golin portugezit ia mohoi portieri 39-vjeçar i Chievos, Sorrentino i cili e lexoi dhe e priti goditjen e tij.

Megjithatë, Daniele Rugani e vulosi fitoren e Juves me një gol me kokë gjashtë minuta para fundit.

Juventusi është lider i padiskutueshëm i Serisë A me 56 pikë, nëntë më shumë se Napoli në vendin e dytë dhe 16 më shumë se Interi në pozitën e tretë.

Chievo, në anën tjetër, zë pozitën e fundit në ligë me vetëm tetë pikë, 11 më pak se vendi i 17-të, i fundit që siguron qëndrimin në Serie A.