“Gjatë ditës së sotme do të ketë njoftim sa u përket masave kundër ndotjes së ajrit, besoj kah ora 18:00 do të bëhet publike ndërprerja e masave, përfshi edhe transportin falas. Sepse kemi persona që kanë shkuar në punë me transport publik, do të presim që ata të kthehen nga puna dhe më pas ndoshta do të tërheqim masën për transport falas”, deklaroi Petre Shilegov, kryetar i qytetit të Shkupit.
Ndërkohë që ndotja e ajrit vazhdon të jetë akoma e lartë. Sipas matjeve të fundit, që janë bërë mbrëmë në orën 21:00, Strumica ka rezultuar qyteti më i ndotur në Maqedoni me 199 mikrogramë grimca PM 10-të, apo tre herë më shumë se masa e lejuar, gjegjësisht 50 mikrogramë. Menjëherë pas saj me 174 mikrogramë është Manastiri dhe në vendin e tretë ndodhet Gostivari me 130 mikrogramë.