Tregtarët edhe për disa muaj mund të frymojnë lirshëm pasi ligji për tregjet e gjelbra do të shtyehet.
Kështu vendosi shumica parlamentare e cila përmes një konference për shtyp njoftoi se arsyeja e prolongimit të këtij ligji është për shkak të mos informimit sa duhet të tregtarëve. Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Ejup Halimi, theksoi se në periudhën në vijim do të organizojnë debat publik për të diskutuar ndryshimet e mundshme për zgjidhje të pranueshme nga të gjitha palët.
“Në konsultim të përbashkët me deputetë, konkretisht me partnerët e koalicionit, kemi ardhur në konstatim që të shtyhet miratimi i ligjit për arsye se nga sjellja e këtij ligji nuk ka pasur kohë të mjaftueshme që të jenë të informuar me të gjitha të drejtat tregtarët e tregjeve të gjelbra edhe pse vetë ky ligj ka qenë iniciativë e tregtarëve që merren me tregjet e gjelbra”,- theksoi koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Ejup Halimi
“Është bërë rishikim dhe është bërë një dëm këtu, por problemi qëndron aty se këto akte nënligjore janë miratuar shumë vonë dhe tregtarët këto i kanë parë në dhjetor dhe nuk kanë mundur të reagojnë. Por, me reagimin e tyre, Kuvendi menjëherë mori iniciativë për të përmirësuar gabimin që është bërë dhe ja kemi reaguar me një zgjidhje të shpejtë e të përkohshme”,- tha Goran Milevski nga Partia Liberale Demokrate.
Por, nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE kërkojnë shfuqizimin e Ligji për tregjet, pasi, sipas tyre, prolongimi nuk e zgjidh problemin e tregtarëve.
“Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së deri te Kuvendi do të paraqesë ligj për ndërprerjen e Ligjit mbi tregtinë dhe tregjet e gjelbra të miratuara nga shumica në pushtet, kështu për të mundësuar që kjo problematikë të rishikohet prej fillimit dhe të dëgjohet mendimi i tregtarëve, ekspertëve, si dhe zëri i deputetëve të opozitës dhe së bashku të bëjmë një zgjidhje kualitative në interes të tregtarëve”,- u shpreh Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
Ligji i cili hyrë në fuqi nga janari i këtij viti shkaktoi reagime të shumta në opinion, madje tregtarët organizuan edhe protesta për të kundërshtuar këtë ligj. Me ndryshimet e reja tregtarët obligohen të pajisen me licenca vjetore për punë, ndërsa po ashtu me ligjin e ri jashtë tregjeve mbesin personat pensionistë, honorarët, si dhe ata të cilët ushtrojnë një veprimtari tjetër.