Ekspertët: Deinstitucionalizimi për personat me nevoja të veçanta nuk është zgjidhje adekuate

Ekspertët nuk e shohin zgjidhje strategjinë e de-institucionalizimit për personat me nevoja të veçanta.
Procesi për deinstitucionalizim nënkupton që të gjithë qendrat për fëmijë pa prind dhe qendrat për persona me nevoja të veçanta të mbyllen. Këtu përfshihen qendra për strehim dhe edukim të fëmijëve, psikijatritë si “Bardovca” dhe Enti special në Demir Kapi. Me këtë rast është paraparë që fëmijët të shkojnë në familje për përkujdesje, në shtëpi të vogla në grupe, ose të vetëjetojnë me përkrahje.

Marketing

Defektologia Uranija punon tashmë nëntë vjet me fëmijë me nevoja të veçanta. Sipas saj de-institucionalizimi nuk është për çdo fëmijë. Ajo mendon se në vend që të mbyllen këto qendra, duhet të investohet në to.

“Unë personalisht konsideroj se nuk duhet të mbyllen të gjitha qendrat, por duhet të investohet në ato qendra. Të investohet në ekip më të madh, më profesional. Çka do të ndodhë pas 3-4 vitesh, nëse përfundon projekti, prapë do të kthehn këta fëmijë nëpër qendra”, tha Uranija Davçeva – Defektologe.

Koordinatorja e Institutit të defektologjisë në Shkup, Natasha Stojanovska, thotë se e përkrah këtë proces, mirëpo sipas saj, nuk duhet të mbyllen qendrat siç është Demir Kapija, ku ka persona me pengesa të mëdha intelektuale.

“Diçka që ngelet si pikë më e dhimbshme është de-institucionalizimi i entit special në Demir Kapi, sepse bëhet fjalë për një umër të madh shfrytëzuesish, të cilët në të shumtën e rasteve janë persona të rritur ose të moshuar, që janë me pengesa të thella intelektuale. Unë shpresoj se edhe atje do të ketë ndryshime thelbësore”, u shpreh Natasha Stojanovska Trajkovska, Koordinatore e institutit të Defektologjisë.

Me këtë projekt, sipas Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale mundësohet përfshirje më e madhe e kësaj kategorie në jetën shoqërore. Mirëpo në Maqedoni ende nuk ka statistika, as numër, as në përqindje se sa persona me nevoja të veçanta ka dhe se sa është numri i të punësuarve që kanë pengesa në zhvillim.

“Në Maqedoni ende nuk ekziston regjistër. Ne po mundohemi që sistemin e arsimimit, sistemin shëndetësor dhe sistemin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale t’i lidhim në mënyrë elektronike, që nëpërmjet këtyre sistemeve të shohim se sa është numri i personave që janë të evidentuar diku në sistem, qoftë me sigurim shëndetësor, qoftë nëse marrin ndihmë sociale nga Ministria e Politikës Sociale, ose janë të përfshirë në sistemin e arsimit. Me këtë do t’i mësojmë numrat e parë. Pozita fillestare është bashkëpunimi me këto tre institucione dhe t’i pastrojmë të gjithë ata që janë të evidentuar. Vetëm atëherë do të dalim me numër, e kjo besoj se do të ndodhë shumë shpejt”, tha Milla Carovska – Ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Në kuadër të projektit të përbashkët, realizuar nga katër agjencitë e Kombeve të Bashkuara në vend, ka filluar trajnimi treditor për përkujdesjen e personave me aftësi të kufizuara.
Deinstitucionalizimi do të thotë kalim nga kujdesi social, që ofrohet në institucionet e mëdha rezidenciale, nën kujdes brenda shoqërisë. Alternativa janë shërbimet sociale në bashkësi, mundësia që personi të marrë përkrahje në mjedisin e tij, në bashkësinë, atëherë kur ka nevojë, në mënyrën që ia plotëson nevojat e veta.