Shpërndarja e administratorëve, Iseni: Akoma nuk i dijmë profilet

Qeveria e Maqedonisë përmes reformave në administratë synon të krijojë një administratë efikase ndërkohë që tepricën planifikon ta orientojë nëpër kompanitë private.
Sa transferimi i punonjësve administrativ në sektorin privat paraqet një proces vështirë të realizueshëm, mbetet të shihet në etapat që pasojnë.

Marketing

Plani qeveritar për të shpërndarë punonjësit e administratës publike në sektorin privat tashmë është e njohur për Odën ekonomike të Maqedonisë Veri-Perendimore. Drilon Iseni thekson se për të ndodhur kjo fillimisht duhet të ulen me ekzekutivin për ti diskutuar profilet e administratorëve dhe më pastaj për të parë mundësinë e zhvendosjes së tyre në sektorin privat.

“Kjo ide nuk është e re për ne dhe realisht si e tillë është hapur dhe në takimet që i kemi pasur me përfaqësuesit e lartë të qeverisë. Në parim biznesmenët do të ishin të interesuar të shohin paraprakisht se cilat profile të punëtorëve që ekzistojnë në kuadër të administratës. Pra do duhet të bëhet një analizë më gjithë përfshirëse se çfarë mund të ofrojë Qeveria për sektorin e biznesit. Është fakt që biznesi është i hapur të diskutojë por pa pasur ndonjë analizë të tillë nuk mund të japim për momentin diçka konkrete. Bizneset kanë nevojë për kuadro të reja por kryesisht të profileve me arsimim profesional”, tha Drilon Iseni nga OEMVP.

Madje edhe sipërmarrësja Merita Ramadani Alimi, nuk mohon faktin që sektori privat ka nevojë për kuadro të reja, por që kjo çështje kërkon diskutim në nivel të Odave me qeverinë.

“Është problem e them sërish, duhet të ulemi bashkërisht dhe ta diskutojmë këtë . Duhet të diskutojmë me Odat ekonomike dhe ta sqarojmë se çfarë do të bëhet me ata të cilët do të largohen nga administrata. Ne e kemi edhe problemin e largimit të kuadrove profesionist të cilët për çdo ditë ikin. Ky është moment që duhet të ulemi të vendosim dhe të gjejmë zgjidhjen se çfarë do të bëhet me ata dhe për çfarë kemi nevojë më tepër”, tha Merita Ramdani Alimi, sipërmarrëse.

Reformimi administratës është një nga kriteret që duhet të plotësojë Maqedonia për procesin e integrimit të vendit. Ekspertët e kësaj lëmie theksojnë nevojën e më shumë investimeve në profesionalizimin e administratës, dhe aplikimin e sistemit meritor gjatë procesit të punësimit.

Ministri I dikasterit Damjan Mancevski, është zotuar se nuk do të largohen punonjësit administrativë, por ata do të zhvendosen në institucione përkatëse, me qëllim që të rritet cilësia e shërbimit për qytetarët. Nga atje thonë se është shumë herët për të thënë se sa prej punonjësve në administratën publike do të shpërndahen në sektorin privat pasi një gjë e tillë do të bëhet e ditur kah fundi i vitit 2019.

Marketing