Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka publikuar listën e mediave të shtypura, të cilave u ka ndarë mbështetje financiare, mes të cilave edhe gazetës “Zaman Maqedoni” të lidhur me organizatën terroriste FETO, përgjegjëse për tentimin e pasuksesshëm të grusht-shtetit në Turqi. Kështu thuhet në një reagim të Ankarasë zyrtare, sipas të cilës, “subvencionimi i gazetës së FETO-s, është skandaloz dhe i papranueshëm”
“Është e njohur që Republika e Turqisë mbështetë Republikën e Maqedonisë që nga pavarësia e saj në të gjitha fushat e rëndësishme. Mbështetja dhe marrëdhënia e Republikës së Turqisë ndaj Republikës së Maqedonisë çdoherë kanë qenë miqësore dhe qëllimmira. Vendimin e Qeverisë së Maqedonisë që të ndajë mbështetje financiare për gazetën e FETO-s e konsiderojmë si skandaloze dhe të papranueshme. Presim që Qeveria e Maqedonisë do të shqyrtojë vendimin e saj dhe do të merr parasysh marrëdhëniet miqësore shumëvjeçare mes të dyja vendeve dhe dyja kombeve”, reagon Qeveria turke.