Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani është prononcuar sot lidhur me deklaratën e ministres për Punë dhe Politikë Sociale, Milla Carovska, për kinse keqpërdorim të mjeteve nga ana e Fondit Pensional me të cilin udhëheq drejtor shqiptar, kuadër i BDI-së.
Sipas Osmanit nuk bëhet fjalë për keqpërdorim të as edhe 1 denari nga mjetet e pensionistëve dhe nga vetë Fondi Pensional, por u konfirmua se ka paqartësi si rrjedhojë e disa pengesave administrative.
“Fillimisht do të flas lidhur me jehonë që iu dha mbrëmë të ashtuquajturave keqpërdorime të mjeteve nga ana e Fondit Pensional, më saktësisht keqpërdorimin e 19 milion eurove. Unë këtu e kam patjetër të them se mbrëmë Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Milla Carovska kishte një deklaratë të pafat e cila hapi mundësi për spekulime spektakolare lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në Fondin Pensional për gjoja keqpërdorim të mjeteve dhe kur mbrëmë edhe me Ministrin por edhe me vet Fondin kontrolluam dhe vërtetuam se nuk bëhet fjalë për keqpërdorim të as edhe 1 denari nga mjetet e pensionistëve dhe nga vetë Fondi Pensional, por u konfirmua se ka paqartësi si rrjedhojë e disa pengesave administrative dhe si rezultat i qeverisë së mëparshme që të ulen shpenzimet e kontributeve e nga kjo të nënkuptohet se ato para nuk i janë dërguar shtyllës së dytë pensionale”, ka thënë Osmani.
Osmani beson se ai informacion ishte absolutisht FAKE NEWS dhe për dëmin që është bërë nga deklarata e Carovskës, “në emër të BDI-së paralajmëron se për të gjithë politikanët por edhe mediat të cilët e involvuan mbrëmë BDI-në në këtë lajm të rrejshëm, nëse për 24 orë nuk kërkojnë falje publike do të duhet të ngremë padi kundër tyre me qëllim që të dëshmojmë të vërtetën”.
“Sot edhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale por edhe Fondi Pensional dolën me sqarim dhe i treguan opinionit se në Fondin Pensional nuk mungon asnjë denar, por që ato mjete nuk janë lëshuar në shtyllën e dytë pensionale pasi që është dashur të paguhen si pensione dhe kjo flet për mungesë të parave d.m.th këto para janë lëshuar si pensione për qytetarët tanë, nuk janë keqpërdorur këto para. FAKE NEWS është kur ju implikoni një parti politike apo persona pa pasur asnjë dëshmi dhe kjo është FAKE NEWS dhe për këtë qëllim ne e kemi patjetër të mbrojë imazhin e partisë dhe e kemi patjetër të kërkojmë nga të gjithë që kanë rënë në këtë grackë, të kërkojnë falje publike”, ka deklaruar zv/kryeministri Osmani.