Në seancën e fundit të Qeverisë së Maqedoni është miratuar plani për zbatim të Marrëveshjes së Prespës së nënshkruar ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë. Sipas vendimit, emri i ri i shtetit Republika e Maqedonisë së Veriut do të fillojë të përdoret pas një jave në tabelat shtetërore.
Siç njoftuan nga Qeveria e Maqedonisë, me planin parashihen një sërë masash që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe institucionet shtetërore, të cilat vijnë pas miratimit të amendamenteve të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.
“Në pajtueshmëri me këto përfundime, ministritë, organet dhe institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike dhe shoqatat aksionare në pronësi të shtetit, me afatin e paraparë pas hyrjes në fuqi të amendamentit 33, 34, 35 dhe 36 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, do të duhet të bëjnë ndryshme të tabelave në vendkalimet kufitare dhe kufijve shtetërorë, në përfaqësitë konsullore – diplomatike si dhe në hyrjet e institucioneve”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.
Paralelisht me këtë, edhe shërbimi për komunikim me publikun në institucione shtetërore do të marrë udhëzime të reja se si do të komunikojë me mediat dhe qytetarët pas ndryshimit të emrit të shtetit.
Përndryshe, ky vendim i Qeverisë së Maqedonisë vjen pasi që më 25 janar, në Kuvendin e Republikës së Greqisë u ratifikua Marrëveshja e Prespës.
Ratifikimi në Kuvendin e Greqisë erdhi pasi që më 11 janar, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë miratoi ndryshimet kushtetuese, që parashihen me Marrëveshjen e Prespës dhe përfundoi gjithë procedurën e implementimit të Marrëveshjes së Prespës. Ndryshimet kushtetuese në Maqedoni do të hynë në fuqi pasi që Greqia ta nënshkruajë protokollin për anëtarësim të Maqedonisë në NATO.