Kadri Veseli duket se ka ndërruar mendje në lidhje me taksën e shumëdiskutuar mbi produktet serbe. Kryetari i Parlamentit të Kosovës, njëkohësisht kryetar i PDK-së, hodhi ditë më parë idenë se tarifa mund të pezullohej për 120 ditë.
Ndryshimi i qëndrimit të tij me atë të kryeministrit Ramush Haradinaj, partner i koalicionit qeverisës, bëri të flitet për lëkundje të ekzekutivit dhe zgjedhje të parakohshme.
Por, në deklaratën e fundit të Veselit, ky skenar duket i largët.
Tarifa doganore mbi mallrat e Serbisë “është vendosur për të mirën e Kosovës dhe nuk mund të kthehet kundër saj. Ne e vumë taksën 100 për qind mbi produktet dhe mallrat serbe, për shkak se Beogradi na e ka imponuar një masë të tillë dhe ajo do të qëndrojë”, tha Veseli gjatë vizitës në një shkollë fillore në Ferizaj.
Megjithatë, ai e përmendi propozimin e tij duke theksuar se ishte konkret, i bazuar në kërkesën e Shteteve të Bashkuara dhe se do të bëhej fjalë vetëm për një masë të përkohshme.